Varësia nga lojërat për të parën herë do të renditet si çrregullim i shëndetit mendor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.


Klasifikimi i saj i 11-të Ndërkombëtar i Sëmundjeve (ICD) do të përfshijë edhe gjendjen “çrregullim lojërash”.


Drafti i dokumentit e përshkruan atë si një model të sjelljes së vazhdueshme ose të përsëritur të lojërave aq të rënda saqë ajo merr “përparësi mbi interesat e tjera të jetës”. Disa vende e kishin identifikuar atë tashmë si një çështje të rëndësishme të shëndetit publik.


Shumë të tjera, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar kanë klinika private, të cilat bëjnë të mundur “trajtimin” e kësaj gjendje.


Versioni i fundit i ICD përfundoi në vitin 1992, me udhëzuesin e ri që do të publikohet në vitin 2018.


Udhëzuesi përmban kode për sëmundje, shenja dhe simptoma dhe përdoret nga mjekët dhe studiuesit për të ndjekur dhe diagnostikuar sëmundjet.


Ajo sugjeron se sjellja jonormale ndaj lojërave duhet të jetë e dukshme gjatë një periudhe prej të paktën 12 muajsh “për të caktuar një diagnozë”, por shton se periudha mund të shkurtohet “nëse simptomat janë të rënda”.


Simptomat përfshijnë:


1-Kontrollin mbi lojërat (frekuenca, intensiteti, kohëzgjatja)


2-Prioritetin e shtuar ndaj lojërave


3-Vazhdimi me lojërat pavarësisht nga pasojat negative


Dr. Richard Graham, specialist i teknologjisë së varësisë në spitalin Nightingale në Londër, përshëndeti vendimin për të njohur gjendjen si çrregullim i shëndetit.


Është e rëndësishme, sepse krijon mundësinë për shërbime më të specializuara dhe e vendos atë në hartë si diçka për tu marrë seriozisht. Por, kjo edhe mund të hutojë prindërit, fëmijët e të cilëve janë thjesht lojtarë entuziastë”, tha Graham.


Ai tha se përballet çdo vit me 50 raste të reja të varësisë digjitale dhe kriteret e analizës së tyre bazohen në masën që aktiviteti ndikon mbi gjërat themelore siç janë gjumi, ngrënia, shoqërimi dhe edukimi.


Shumë vende po ballafaqohen me çështjen dhe në Korenë e Jugut qeveria ka futur një ligj që ndalon aksesin për fëmijët nën 16 vjeç nga lojërat në internet mes mesnatës dhe orës 06:00.


Gjiganti i internetit Tencent ka kufizuar orët që fëmijët mund të luajnë lojërat e tyre më të njohura.


3 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)