Në konkluzionet e Komitetit të OKB-së mbi raportin e torturave në Shqipëri,  autoritetet shqiptare rekomandohen të zhvillojnë hetime precize dhe neutrale, si një çështje prioritare rreth të shtënave fatale mbi katër demonstruesit nga policia gjatë protestave antiqeveritare në Tiranë, në janar të vitit 2011, raporton Shqip. Komiteti e konsideron si çështje prioritare marrjen e informacioneve dhe bën thirrje për hetime precize rreth ngjarjes së 21 janarit. Në raport theksohet se duhet të hartohen të dhëna të sakta mbi hetimin e torturës dhe keqtrajtimit të paligjshëm, përdorimin e forcës nga policia dhe sigurimin e hetimeve efektive në incidentet e raportuara të keqtrajtimit të fëmijëve në mjedise të kujdesit social.