OKB-ja u shpreh thellësisht e shqetësuar nga kriza humanitare në Korenë e Veriut, pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm në muajin korrik, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Kjo katastrofë natyrore shkaktoi 169 të vdekur, 400 të zhdukur dhe 212 200 të zhvendosur duke dëmtuar 650 kilometra katrorë tokë bujqësore në një vend që ndodhet në prag të krizës ushqimore, sipas shifrave të dhëna nga media zyrtare në Phenian.

“OKB-ja është shumë e shqetësuar nga situata humanitare në Korenë e Veriut”, deklaroi Ban Ki-moon për shtypin gjatë një vizite në Korenë e Jugut.

“Ne jemi veçanërisht të kujdesshëm për problemet e shëndetit të fëmijëve dhe dëmet e shkaktuara nga thatësira dhe përmbytjet e fundit”, theksoi ish-ministri koreano-jugor i Punëve të Jashtme.

Shërbimet përkatëse të Kombeve të Bashkuara kanë ofruar ndihmën e nevojshme dhe kanë parashikuar ta rrisin këtë ndihmë.

Ekipet e OKB-së dhe Kryqit të Kuq kanë shkuar në provincat e prekura për të vlerësuar dëmet duke shfaqur nevojën urgjente për ujë të pijshëm, ushqim dhe medikamente mjekësore./Start/


                                                                                             2012-08-13 14:09