Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillaj, tha se ekzekutimi i shtetasit meksikan në shtetin amerikan të Teksasit, ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar.


Pillaj, duke folur gjatë një vizite në Meksikë, tha se është thellë e zhgënjyer që autoritetet e Teksasit kanë lejuar shkeljen e ligjit ndërkombëtar.


Teksasi ka ekzekutuar Humberto Leal Garcian, 38 vjeç, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara refuzoi të veprojë ndaj shqetësimeve të ngritura nga administrata e Obamës, në lidhje me shkeljet e traktatit ndërkombëtar.


Garcia ishte dënuar për përdhunim dhe vrasjen e një vajze adoleshente në Teksas, në vitin 1994.


Ai ishte njëri nga të paktën 51 meksikanët e dënuar me vdekje në SHBA, të cilët nuk ishin informuar pas arrestimit të tyre se mund të marrin ndihmë ligjore nga Konsullata meksikane, një veprim ky që thuhet se paraqet shkelje të Konventës së Vjenës.