Uashington- Shtatë fuqi botërore ranë dje dakord rreth një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për zgjerimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut pas provës së saj të nëndheshme bërthamore dhe provave me 6 raketa.



Projektrezoluta dënon veprimet e Koresë së Veriut si shkelje të rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit dhe vendos sanksione shtesë, si inspektimin e mallrave, embargon e plotë të armëve si dhe sanksione më të forta financiare.



Njoftohet se Kina nuk dëshironte që klauzola për inspektimin e mallrave të ishte e detyrueshme.



Teksti i projektrezolutës është produkt i negociatave intensive mes pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit plus Japoninë dhe Korenë e Jugut.



Ambasadorja amerikane Suzan Rajs, e cila drejtoi negociatat dhe ua paraqiti projektrezolutën të 15 vendeve anëtare të Këshillit, tha se dokumenti i dërgon një përgjigje “ shumë të fortë, shumë të besueshme dhe shumë me vend” veprimeve të Penianit.