Bledar KurtiDr. Bledar KURTI


Që nga 1 prilli, shqiptarët do paguajnë edhe taksën e banesës. Një barrë më shumë për buxhetin e familjeve shqiptare, një faturë më e rëndë e energjisë elektrike apo e ujit të pishëm. Efekti zinxhir do sjellë rritjen e çmimit të qirave si për studentët në qytetet universitare, ashtu edhe për bizneset e vogla në mbarë vendin. Dhe a u shtrua ky debat për të informuar opinionin publik? Jo. A u argumentua dhe kundër-argumentua qëllimi i kësaj takse? Jo. A u diskutua përse të mos taksohen banesat e dyta, siç praktikohet në shumicën e vendeve të tjera?


Jo. A ngriti zërin dikush në emër të qytetarëve? Jo. E përse jo. Sepse opozita është dembele e merret me bejte në facebook. Qëllimi i çdo qeverie është të taksojë një popull sa më shumë të mundet, por janë mekanizmat demokratik ata që e frenojnë atë deri sa të gjendet një vijë e përbashkët. Nëse qeverisë aktuale i shkrepet të taksojë edhe ajrin që thithim, nuk është çudi të miratohet pa zhurmë, pasi mekanizmat demokratik në mbrojtje të qytetarit janë rrëzuar.


Dhe kjo është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e opozitës e cila nuk le barsaletë pa thurur, nuk le thatheshem pa përgojuar, nuk le status pa reaguar, por kur bëhet fjalë për ekonominë e familjeve shqiptare, fle e dembelosur, e vetëkënaqur me fitoren ndaj mullinjve të erës. Sot, opozita nuk dikton linjën e diskursit dhe debatit publik. As edhe një debat politik nuk është inicuar nga opozita. Ajo vetëm ka reaguar ndaj mazhorancës dhe mbi të gjitha mbi deklaratat e disa gazetarëve ose analistëve në studiot televizive. Sot diskursin politik nuk e drejtojnë partitë kryesore të opozitës, por deklaratat ambiguoze të tre a katër analistëve.


Dhe sigurisht që mazhoranca e lejon e madje e inkurajon këtë formulë pasi e ka më të lehtë të merret me një numër të vogël analistësh se sa me ushtritë e partive opozitare. Duke marrë në konsideratë që disa prej tyre janë pranë mazhorancës bëhet edhe më e lehtë ti shtosh finesë spin-it qeveritar. Nëse vëreni me kujdes, shumë prej tyre merren ende me Berishën. Kjo taktikë duket se ka funksionuar pasi teksa ende merremi me Berishën askush nuk merret me të tashmen e aq më pak me të ardhmen. Dhe opinioni publik është i zënë në kurth.


Dhe e gjitha kjo, sepse opozita nuk po merr dot frerët e prioritizimit të nevojave të qytetarit dhe vendit. Me dembelizmin e saj nuk merret as me gjërat e errëta e as me ato të bardha por vetëm me ato rozë. Ndaj edhe shqiptarët do e hajnë edhe një taksë më tepër, e kushedi se sa të tjera pas saj. Nuk ka tirani më të keqe sesa të detyrosh një njeri të paguajë për atë që ai nuk dëshiron, thjesht sepse mendon se do të ishte e mirë për të.


Asnjë shqiptar nuk është pyetur nëse kjo taksë do i shërbejë atij. Dhe asnjë zë opozitar nuk e ka bërë atë pjesë të debatit publik. Zakonisht janë qeveritë ato që janë dembele e opozita e zellshme për debat e revolucion. Në Shqipëri është e kundërta. Ndaj opozitës sonë dembele e gjumashe i urojmë nga zemra: “pafsh ëndrra sa më të bukura!”


5 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)