14/12/2004  Prezenca e OSBE-së nuk i ka kursyer vërejtjet e saj për procesin zgjedhor në Dushk, duke akuzuar partitë politike për ndërhyrje në zgjedhjet e 12 tetorit. Me anë të një deklarate për shtyp, prezenca e OSBE-së në Tiranë, pavarësisht se e ka pranuar procesin e votimit në komunën si një proces që përfaqëson vullnetin e zgjedhësve, vëren se mangësitë e vëna re në zgjedhjet e kaluara u shfaqën, "në dyqendra votimi, pati tentativa nga përfaqësues partiakë për të ndikuar te votuesit. Gjithashtu, u vëzhgua gjerësisht votimi familjar dhe fakti që disa njerëz u lejuan të votonin pa kartë identiteti", thuhet në deklaratën e OSBE-së. Veç kësaj, sipas OSBE-së, infrastruktura e ngritur për këtë qëllim ishte larg standardeve që mundësojnë zhvillimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm. "Në përgjithësi, madhësia, organizimi dhe pajisjet e qendrave të votimit nuk kontribuonin për një proces votimi transparent dhe të rregullt. Disa qendra votimi ishin tepër të vogla, të mbipopulluara ose të ndriçuara keq", thotë deklarata. Gjithsesi, pavarësisht mangësive dhe vërejtjeve të saj, Prezenca e OSBE-së del në përfundimin se procesi zgjedhor në tërësi ishte i pranueshëm, por mangësitë duhet të eliminohen në zgjedhjet e vitit 2005". Megjithatë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, duhen ndërmarrë disa hapa, veçanërisht, në lidhje me trajnimin e anëtarëve të KQV-ve dhe Komisionit Zonal Zgjedhor (KZZ) si dhe caktimin dhe pajisjen e qendrave të votimit, me qëllim që të sigurohen zgjedhje parlamentare në përputhje me standardet e OSBE-së. Kjo u pranua nga anëtarët e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve të pranishëm gjatë votimit dhe numërimit të votave", përfundon deklarata e OSBE-së.