Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u ndërpret energjinë elektrike 167 subjekteve buxhetore dhe jobuxhetore në vend



Pas një periudhe disamujore heshtje, çekët e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes janë hedhur në sulm, duke mos kursyer as zyrat e institucioneve qeveritare, të cilat deri tani kanë pasur një imunitet virtual, pavarësisht se disa prej tyre kanë vite që nuk paguajnë energjinë. Aksioni u përqendruar në 9 qytete të vendit, si Tiranë, Durrës, Kukës, Korçë, Elbasan, Berat, Fier, Burrel dhe Shkodër. Në listën e debitorëve figurojnë qendra shëndetësore, spitale, ambulanca, shkolla, kopshte, fakultete, konvikte, zyra përmbarimi, zyra tatim taksash, qendra kulture, komuna e bashki e komisariate policie. Në listë nuk mungojnë madje as selitë e partive kryesore në vend, siç është ajo e Partisë Demokratike në qytetin e Kukësit apo selia e Partisë Socialiste në Tropojë. Rekordin në këtë listë e zë qyteti i Kukësit, në të cilin sot u është ndërprerë energjia elektrike 63 subjekteve. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes paralajmëroi debitorët se, nëse nuk paguajnë detyrimet që kanë ndaj kësaj kompanie, do t’u hiqet energjia elektrike nga ora 9 deri në orën 13, operacion i cili filloi ditën e sotme me ndërprerjen e energjisë në subjektet e sipërpërmendura. Borxhet që kjo kompani ka trashëguar nga periudha e paraprivatizimit kapin shifrën e 28 miliardë lekëve, prej të cilave 3.2 miliardë janë borxhe nga subjekte jobuxhetore dhe 1.3 miliardë nga subjekte buxhetore.


***


Por OSSH-ja nuk ka qenë dakord edhe me vendimet që ka marrë ERE-ja për çmimin e energjisë, duke e quajtur si faktorin kryesor për fatin e këtij biznesi, që në realitet nuk është si të tjerët, por ka një rëndësi të madhe kombëtare. Sipas investitorit të huaj, OSSH-ja do të vazhdojë të ketë një rritje të lartë të borxhit prej 20 miliardë lekësh në vitin 2009 kundrejt partnerëve të jashtëm, duke e çuar në nivelin e 25,8 miliardë lekë. Kjo në mënyrë të pashmangshme do të çonte në kolaps financiar dhe më pas në falimentim të OSSH-së. Sipas kompanisë çeke, bankat nuk do të jenë të gatshme të financojnë OSSH-në, pasi ajo nuk do të jetë në gjendje të paguajë kreditë, për shkak të treguesve negativë. OSSH-ja deklaron se do të përdorë të gjithë hapat e mundshëm ligjorë për të mbrojtur interesat e konsumatorëve të OSSH-së dhe aksionerëve të vet, duke ndërmarrë hapa ligjorë brenda vendit dhe jashtë vendit, si dhe përdorimin e garancisë së dhënë nga Banka Botërore. Konflikti ka ardhur për shkak të kërkesës që ka bërë “CEZ” për një rritje 23 për qind të çmimit të energjisë dhe justifikimit se një rritje e tillë është e domosdoshme, duke u bazuar në një nivel humbjesh që shkon në 35,7 për qind, shifër kjo 3.7 për qind më e lartë se niveli zyrtar i pranuar. Humbjet në rrjet janë pjesë përbërëse e çmimit të energjisë elektrike, çka do të thotë se, sa më të larta të jenë ato, aq më shumë duhet të rriten tarifat. Enti Rregullator i Energjisë thotë se bordi i komisionerëve konstatoi se shifrat e paraqitura nga kompania OSSH ishin jorealiste dhe të ekzagjeruara. Ndaj ky bord mori vendimin që të mos pranojë kërkesën e kompanisë. Në këtë mënyrë mbetet në fuqi niveli prej 32 përqindësh i humbjeve në rrjet. Kërkesa për rritje të çmimit të energjisë elektrike vjen në një kohë që humbjet për pjesën e parë të vitit kapin 32 për qind të energjisë. Humbjet jo vetëm që nuk janë ulur, por kanë pësuar një kapërcim të të gjithë parashikimeve, të cilat ishin përcaktuar në kontratën koncesionare.




Euroja rrezikon pozicionin



Kriza ekonomike në Shqipëri, cunami grek afrohet me shpejtësi


Kriza ekonomike në Shqipëri rrezikon që të përjetojë të gjitha implikimet që vijnë nga fqinji ynë jugor. Një krizë e tillë, që ka ulur brenda një muaji gati 10 për qind vlerën e euros përkundrejt dollarit dhe u ka hequr gjumin europianëve nga frika e një destabilizimi më të gjerë të eurozonës, nuk mund të lërë të qetë edhe fqinjët e Greqisë, për pasojat në ekonomitë e tyre të brishta dhe në tranzicion të ndërlidhura me atë greke. Këtë shqetësim përcjell përmes “Deutsche Well”e edhe profesor doktor Anastas Angjeli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ish-ministër i Financave i qeverisjes socialiste, që u ndodh zyrtarisht këto ditë në Athinë. “Unë mendoj se padyshim situata kaq e vështirë ekonomiko-financiare në Greqi do të ketë ndikimin e vet dhe në ekonominë shqiptare në disa drejtime. Greqia është vendi i dytë në shkëmbimet ekonomiko-tregtare dhe investimet në Shqipëri dhe një krizë në Greqi padyshim që do t’i dobësonte dhe ulte këto marrëdhënie të eksport-importit dhe investimeve”. Me 27 për qind të totalit të investimeve të huaja në Shqipëri, Greqia zë vendin e parë përsa i përket kuotës së kapitalit të investuar, që arrin në 800 milionë dollarë. Nga rreth 270 biznese greke dhe mikse të fushave të ndryshme pasojat më të mëdha gjatë vitit 2009 i pati dega e veshmbathjes, ku si pasojë e mbylljes së njësive prodhuese të tipit fason në Korçë kanë humbur punën 300 punonjës. Tronditje patën edhe sektorët e ushqimeve dhe tregtisë me pakicë, por jo sa fusha e ndërtimit, ku investimet greke zënë 30-40 për qind.


***


Pasojat sot do të ishin më direkte dhe më të thella për ekonominë shqiptare, në qoftë se kriza greke nuk do të kishte një veçori. “Nëse kriza globale në fillim në SHBA, në Angli dhe disa vende të tjera përfshiu sistemin bankar, Greqia ka një veçori në këtë krizë. Ajo është një krizë e borxhit publik”. Pa “obligacionet toksike” dhe me një indeks të lartë fitimi në krahasim me simotrat e tyre europiane, bankat greke duke parë ngushtë interesat e tyre akoma edhe paketën e ndihmës shtetërore prej 27 miliardë eurosh nuk ia kaluan biznesit prodhues për kreditimin e tij në kushte të favorshme, që ishte edhe obligimi i tyre, por sektorit publik financiar, siç vëren edhe Angjeli. Lakmia për fitim me çdo kusht dhe në mesin e krizës mund të kthehet në bumerang. “Tashmë bankat janë rifutur në këtë cikël përmes dhënies së borxhit qeverisë. Kjo besoj që do të sjellë shqetësimet e veta dhe në sistemin financiar dhe bankar grek. Këtu synon programi i qeverisë së re greke, për të frenuar këtë tronditje që do të ketë ky sistem”. Një tronditje, që mund të jetë shumë e afërt, kur vetëm për 3-4 javët e ardhshme duhen 22 miliardë euro për obligacionet në skadim dhe sa vjen e thellohet pamundësia e bizneseve, por edhe individëve për të shlyer kreditë e marra. Vibracionet e një zhvillimi të tillë do të ndjehen menjëherë nëpër degët e katër bankave greke në Shqipëri. “Një numër bankash në Shqipëri janë banka me bazë bankat greke, mëmat e tyre janë në Greqi dhe një tronditje e tyre nuk do të konsiderohej pozitive për bankat që janë në Shqipëri”.