Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve Barak Obama ka bërë thirrje për masa urgjente për të ndihmuar amerikanët për gjetjen e një vendi pune dhe për të nxitur ekonominë, pas publikimit të shifrave alarmante, që tregojnë një përqindje papunësie në pikën më të lartë që prej më tepër se 15 vjetësh. "Nuk ka zgjidhje të shpejtë ose të lehtë për këtë krizë, që është shkaktuar që prej shumë vjetësh dhe pa dyshim do të bëhet më keq përpara se të përmirësohet", deklaroi Obama në një komunikatë. "Por ka ardhur koha të reagojmë me vendosmëri dhe me urgjencë për t'i vënë njerëzit në punë dhe për të nxitur ekonominë tone", shtoi ai. "Shkurtimi i vendeve të punës, që kapi shifrën 533 000 muajin e kaluar, më drastikja gjatë viteve të fundit, është më tepër se një pasqyrë e krizës ekonomike me të cilën po ndeshemi", u shpreh Obama. "Secila nga këto vende pune të humbura përbën një krizë personale për një familje diku në Shtetet e Bashkuara", theksoi ai. Sipas një raporti të publikuar nga Departamenti amerikan i Thesarit, ekonomia e këtij vendi është ndeshur gjatë muajit nëntor me humbjen e 533 000 vendeve të punës, një papunësi që arrin në 6,7 përqind, më e larta që prej 15 vjetëve.