SHBA

Presidenti Obama paralajmëron se mosmiratimi nga Senati i Shteteve të Bashkuara i një marrëveshjeje të re me Rusinë për kontrollin e armëve, mund të minojë rolin udhëheqës të Amerikës në përballimin e sfidave të tjera anekënd botës. Në fjalimin e tij javor në radio, zoti Obama tha se mosratifikimi i marrëveshjes, që njihet si “New START”, mund të rrezikojë një kthim prapa dhe të cenojë përparimin që Shtetet e Bashkuara kanë shënuar në marrëdhëniet me Rusinë. Për ratifikimin e marrëveshjes duhen 67 vota të Senatit dhe Partia Demokratike e Presidentit Obama, që ka vetëm 58 senatorë, duhet të sigurojë mbështetjen e republikanëve. Marrëveshja “New START” parashikon kufizimin e arsenalit të secilit prej dy vendeve në pak më shumë se 1500 mbushje bërthamore strategjike dhe krijimin e një sistemi vrojtimi dhe verifikimi.