Presidenti Barak Obama vijon përpjekjet e tij për të shtuar mbështetjen e publikut për planin e tij për stimulimin e ekonomisë amerikane dhe lehtësuar papunësinë.  Presidenti e vijoi fushatën në shtetin Ohajo, i cili mund të jetë i rendësishëm për rizgjedhjen e tij.


 


Presidenti Obama foli në një tubim prej afro 3 mijë njerëzish duke kërkuar miratimin e Aktit të Punës.


 


“Ky është një plan që bën dy gjëra. Hapë vende pune për njerëzit dhe u kursen paratë punonjësve amerikanë” theksoi Obama.


Takimi u zhvillua në kryeqytetin e Ohajos dhe qytetin më të madh të atij shteti, Kolumbus, në një shkollë të mesme të restauruar kohët e fundit. Zoti Obama përmendi pjesën e planit që kërkon shpenzime për ndërtimin dhe rinovimin e shkollave publike në vend.


 


Plani i presidentit prej 447 miliard dollarësh për punën përballet me kundërshtimin e republikanëve dhe mbështetje të pasigurtë nga demokratët në Kongres. Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Miç Mekonell, thotë se plani për vendet e punës nuk është serioz dhe është hartuar më shumë lidhur me synimet e rizgjedhjes së Obamës sesa trajtimin e problemeve ekonomike të vendit. Ai po ashtu shprehu dyshime nëse plani mund të funksiononte.


 


Disa aspekte të planit do të financohen përmes shtimit të taksave për amerikanët e pasur, çfarë kundërshtohet ashpër nga republikanët. Ligjvënësit kryesorë republikan thonë se nuk do ta miratojnë të gjithë planin, por do të shqyrtojnë miratimin e disa pjesëve.


 


Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti do të jetë i hapur që të nënshkruajë çdo pjesë të planit të miratuar nga Kongresi.


 


Disa demokratë e kanë kritikuar presidentin se nuk është treguar agresiv sa duhet në luftën e parimeve të Partisë Demokrate. Mbështetja publike për presidentin Obama është më e ulta ndonjëherë dhe anketat e opinionit publik tregojnë se disa nga votuesit që e mbështetën atë në vitin 2008 tani po konsiderojnë të votojnë për një kandidat republikan për president.


 


Vizita e së martës në Ohajo, është e dyta e të paktën tre udhëtimeve që po bën presidenti për të promovuar planin e tij në shtetet kryesore, të cilat janë shpesh vendimtare për zgjedhjet. Javën e kaluar, ai mbajti një fjalim të ngjashëm në Virxhinia, dhe një fjalim i tretë është caktuar të mbahet nesër në Karolinën e Veriut.


 


Ohajo është gjithashtu edhe shteti i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër. Para Ohajos, zoti Obama mbajti një fjalim ekonomik në shtetin Virxhina të republikanit numër dy të Dhomës së Përfaqësuesve, Erik Kantor.