Autori i Lajmit: Lili Saraci
Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave shpjegon për qytetarët se si duhet të veprojnë për të hipotekuar oborret në përdorim. Kështu, qytetarët duhet të paraqesin në AKKP, edhe një dokument ku të vërtetohet se ai është zotëruesi i truallit që dëshiron të hipotekojë. Pra, për të hipotekuar oborret në përdorim, përveç kërkesës, e cila plotësohet sipas formularit tip që duhet të dorëzojnë në zyrën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duhet të kenë edhe një sërë dokumentesh me të cilat faktojnë pronësinë e truallit që duan të hipotekojnë. Kërkesa plotësohet sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Formulari tip përmban një paralajmërim që ngarkon me përgjegjësi, sipas ligjit, subjektin kërkues në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo të depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar. Në bazë të rregullave që janë vendosur, i interesuari duhet të plotësojë sipas modelit standard një kërkesë, e cila paraqitet nga kërkuesi pranë zyrës së AKKP-së. Bashkë me kërkesën duhet të paraqiten edhe dokumenti për të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin, që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja si dhe genplani i oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar. Me paraqitjen e kërkesës paguhet edhe tarifa e shërbimit, niveli i së cilës përcaktohet me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave.

Dokumentet e nevojshme

Ndërkohë, pjesë e dokumenteve që duhet të dorëzohen është edhe ai me të dhënat për gjendjen juridike të oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP-ja. Me anë të këtij dokumenti provohet se oborri në përdorim është në pronësi të shtetit, ndonëse i paregjistruar, dhe se nuk bën pjesë në inventarin e pronave të paluajtshme të qeverisjes vendore. Ndërkohë, qytetari i interesuar duhet të ketë edhe dokumentet, që provojnë faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.8.1991. Këto dokumente mund të jenë një leje ndërtimi e lëshuar nga organi përgjegjës i kohës, një akt zyrtar i lëshuar nga arkivi teknik i ndërtimit, një akt i nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, vendimi gjyqësor, për vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së ndërtimit, aktnjoftimi përkatës ose dokumente zyrtare, të lëshuara nga organet e pushtetit vendor (lagjja ose rrethi), brenda kompetencave të tyre. Sipas përcaktimeve ligjore në AKKP, duhet të depozitohet edhe dokumenti që provon pronësinë e mëparshme mbi oborrin në përdorim, që, për shkak të ligjeve të kohës, i ka kaluar në përdorim, pa kundërshpërblim, nëse kërkuesi aplikon për tjetërsimin e tij pa kundërshpërblim. Me paraqitjen e kërkesës paguhet edhe tarifa e shërbimit. Pas dorëzimit të dokumenteve fillon shqyrtimi i kërkesës dhe sipas procedurës, zyra e AKKP-së shqyrton kërkesën e paraqitur brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit të saj. Ajo verifikon dhe pohon nëse kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues përmbushin kushtet e përcaktuara, si dhe saktëson kufijtë e oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet. Verifikimi i kushteve bëhet në bazë të dokumentacionit provues, të paraqitur nga kërkuesi, dhe nëpërmjet inspektimit në terren, nga ana e punonjësve të zyrës rajonale. Në rast se nga inspektimi në terren lindin dyshime për vërtetësinë e dokumenteve zyrtare, që shoqërojnë kërkesën, zyra rajonale u kërkon organeve, që i kanë lëshuar dokumentet, të ripohojnë vërtetësinë e tyre. Korrespondenca bëhet pjesë e dosjes.



Saktësimi



Saktësimi i kufijve kryhet nëpërmjet matjeve në terren, nëse dokumentacioni teknik ligjor, i paraqitur nga kërkuesi, nuk i përmban kufijtë, ose nëse nga krahasimi i dokumentacionit të paraqitur me rezultatet e inspektimit në terren ka mospërputhje. Në këtë rast, zyra e AKKP-së i referohet masave të sipërfaqeve që janë përcaktuar nga vendimi në fjalë, por gjithmonë duke respektuar kufijtë natyrorë ekzistues. Në përfundim të shqyrtimit dhe brenda afatit 30-ditor, dosjen e përgatitur vlerësohet nga ana ligjore prej specialistëve të AKKP-së. Ky vlerësim duhet të përmbajë një sërë elementesh, të cilët do të jenë thelbësorë në marrjen e vendimit për pronësinë e oborrit në përdorim.



Ky lajm është publikuar: 16/05/2010