Të shtunën pasdite portieri legjendar, Gianluigi Buffon, mbylli mes emocioneve të shumta karrierën e tij 17-vjeçare me Juventusin dhe për ta nderuar në mënyrën më të mirë të mundshme trajneri Massimiliano Allegri e zëvendësoi pas një ore lojë, duke i dhënë kështu 40-vjeçarit toskan përshëndetjen e merituar me standing ovation, pikërisht në Allianz Stadium.


Sidoqoftë largimi i veteranit italian nga bardhezinjtë tani lë të hapur mundësinë e një transferimi të mundshëm të gardianit të famshëm larg Apenineve. Gigi përfaqëson një ndër portierët më të famshëm që ka njohur historia e futbollit dhe që të gjithë klubet do të donin ta kishin një simbol të tillë në gjirin e tyre, jo vetëm si imazh në marketing, por mbi të gjitha për aftësinë, talentin dhe eksperiencën e jashtëzakonshme mes shtyllave, të shtrirë në një karrierë prej afërsisht çerek shekulli.


Një ndër klubet më të interesuar duket se është Paris SG dhe, në fakt, është vetë presidenti i klubit të njohur francez, Nasser Al Khelaifi, që konfirmoi interesimin e skuadrës pariziene për një lëvizje të tillë. Biznesmeni nga Katari ka deklaruar se Buffon është një portier fantastik, duke shtuar se Areola do të jetë portieri titullar i ekipit edhe për sezonin e ardhshëm, por, gjithsesi, 44-vjecari këmbënguli në faktin se që të gjithë klubet do të donin të kishin në gjirin e tyre një si Gianluigi Buffon.


Prej ditësh flitet për një interesim të klubit parizien dhe, nga sa bëhet e ditur, drejtuesit e Paris SG i kanë ofruar Buffonit një kontratë 2-vjeçare tepër të pasur, për të cilën Buffon ka shpjeguar se do të japë një përgjigje brenda pesë ditëve. Pse jo, Parisi mund të jetë destinacioni i preferuar për portierin legjendar, duke patur parasysh afërsinë gjeografike, si dhe refuzimin e prerë në lidhje me një kalim të mundshëm në një kampionat të parëndësishëm, për më tepër përtej oqeanit në Major League Soccer, pasi me formën dhe fizikun që ka aktualisht Buffon ndjen se ka ende për ti dhënë sportit më të dashur në planet.


20 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)