Drejtuesi i FRD thotë se presidenti me 71 vota na rrezikon statusin e vendit kandidat për në BE


 


Drejtuesi i grupit nismëtar të Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, në një intervistë për gazetën Mapo thotë se mocionet nuk janë tabu. Ai shprehet se moralisht kjo është një qeveri që ka rënë. Lëvizje të tilla për sa kohë janë brenda kuadrit kushtetues nuk duhen parë si tabu, por përkundrazi duhen parë si instrumente demokratike të cilat nuk ka përse të mos përdoren. Mjafton ti referohemi shembullit të Italisë, ku vetëm vitet e fundit ish- kryeministri Berluskoni iu nënshtrua disa mocioneve në Parlamentin italian. Nëse mund ta rrëzojë apo jo ky mocion qeverinë, atë e tregojnë votat në parlament. Moralisht gjykoj se qeveria ndodhet në një vështirësi të madhe dhe mund të konsiderohet e rrëzuar. Ka të tjerë që e shohin çështjen thjesht numerikisht dhe mund të thonë që qeveria është në këmbë. Unë personalisht bëj pjesë tek të parët. Sa për drejtimin e votës sime, ju po pyesni për një skenar hipotetik dhe unë nuk mund të jap një përgjigje me nëse. Vendimi do të merret në momentin nëse do të ketë një aksion real, tha Oketa.


Ai u shpreh se një president me 71 vota i rrezikon vendit statusin kandidat për në BE. Vetë Oketa thotë se vota e tij do jetë pro integrimit. Koalicioni qeverisës, kur u gatua u quajt koalicioni i integrimit. Deri më sot, fatkeqësisht kemi humbur dy herë mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Një president me 71 vota do ta rrezikonte për herë të tretë këtë mundësi dhe atëherë automatikisht koalicionit qeverisës do ti binte fjala integrim dhe do mbetej koalicion pa asnjë identitet apo objektiv të qartë.