TIRANE - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa vlerëson mbështetjen që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë në gjithë procesin e integrimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Gjatë një takimi që ministri Oketa pati dje me ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Uinfrid An Taylor, deklaroi se qeveria Shqiptare ka alokuar për mbrojtjen 2% të GDP-së dhe Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e përparësive dhe detyrimeve, po e menaxhon këtë buxhet në të mirë të modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe për të arritur objektivin për kalimin tërësisht në një forcë profesioniste brenda vitit 2010.
Ministrja Taylor theksoi se pranimi i Shqipërisë me të drejta të plota në NATO u arrit në sajë të vlerësimit të punës dhe kontributeve. Ajo theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, forcon më shumë paqen dhe sigurinë në vend.
Ministri Oketa dhe zonja Taylor vlerësuan angazhimin në kuadër të Aleancës në operacionin paqeruajtës në Afganistan. Në këtë kuadër, ministri Oketa rishprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të rritur kontributin në Afganistan me një kompani trupash paqeruajtëse shtesë. “Shqipëria do të vijojë angazhimin e saj deri në kryerjen e plotë të misionit të Aleancës”, përfundoi Oketa.