Një përfaqësi e Bashkimit Demokratik të Minoritetit etnik grek “Omonia” drejtuar nga nënkryetari i saj, Jorgo Xhomaka, zhvilloi një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Greqi, z.Dashnor Dervishi. 

Nënkryetari i “Omonia-s”, Jorgo Xhomaka ka ngritur në takim disa çështje shqetësuese për zonën e minoritetit grek të Shqipërisë, dhe ka kërkuar vëmendjen dhe mbështetjen e shtetit shqiptar për zgjdhjen e tyre. 

“Grupe kriminelësh nga zona të tjera jugore të Shqipërisë shkojnë në fshatrat tona, plaçkisin shtëpitë dhe vrasin të moshuarit, që banojnë të vetmuar prej vitesh. Kohët e fundit incidentet kanë qenë të shumta e të shëmtuara. Kërkojmë vëmendjen e policisë së Shqipërisë për eliminimin e kriminalitetit në zonë”, është shprehur Xhomaka. 

Ai gjithashtu i është referuar edhe çështjes së përvetësimit të pronave, me dokumenta false, nga shtetas të ndryshëm, që sipas tij, nuk kanë asnjë lidhje me fshatrat e minoritetit dhe kërkojnë pronësinë bazuar në dokumenta false. 

Përfaqësuesi i "Omonia"-s ka kërkuar kushte lehtësuese për familjet minoritare që, për shkak të krizës së thellë ekonomike në Greqi, rikthehen në atdhe, duke nënkuptuar me këtë, lehtësimet për një integrim normal në shoqërinë vendase, në çdo zonë të Shqipërisë ku banojnë minoritarët. 

Z. Xhomaka ka prekur edhe çështjen e toponimeve, duke shpjeguar se ndalesat në kufi kryhen për të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht kombësisë dhe nga kjo nuk janë përjashtuar edhe mjaft familje minoritare. 

Nga ana e tij, ambasadori i Shqipërisë në Greqi, z.Dashnor Dervishi, përgëzoi përfaqësuesit e “Omonia-s” për vizitën dhe theksoi se diskutimet për çdo çështje shqetësuese duhet të jenë të vazhdueshme. 

Duke iu referuar pritjes për marrjen e statusit Kandidat për Bashkimin Europian, për të cilën Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e caktuara, Dervishi ka përforcuar më tej mendimin se zgjidhja e problemeve me të cilat përballen qytetarët, në çdo zonë, është themelore. “Ky është një takim zyrtar gjatë të cilit ju shtroni disa shqetësime në mënyrë konstruktive, disa shqetësime që janë të përbashkëta. Duhet të jeni të bindur se nuk janë vetëm probleme për minoritetin grek të Shqipërisë, por kriminaliteti, korrupsioni, zgjidhja e çështjes së pronave, janë pikërisht këto çështjet prioritare edhe të qeverisë së re të vendit tonë” tha z. Dervishi. 

Të dy palët kanë rënë dakort se historikisht bashkëjetesa në Shqipëri ka qenë harmonike, se nuk ekziston asnjë arsye për acarime dhe keqkuptime me minoritarët, pika kryesore lidhëse e dy vendeve që i karakterizon fqinjësia e mirë.

(PlusGazetaAthines/Balkanweb)