Deri ku do të ishit të gatshëm të shkonit për t’u dukur më të bukur? Sa do të rrezikoni për të qenë të tillë? Një sërë pyetjesh që ngrihen në mendjen e një vajze e cila nuk ndihet mirë me atë çka i ka dhuruar natyra. Por edhe për këtë ka një zgjidhje. Bisturia.


Operacionet


Një mënyrë tejet e fuqishme e cila u jep zgjidhje shumë pyetjeve dhe brengave që mundojnë vajzat e pakënaqura. Kirurgu dhe bisturia. Nëse kombinimi mes tyre është ai i duhuri, atëherë edhe rezultati do të jetë tejet i kënaqshëm. Në të kundërt, pasojat do të jenë të mëdha. Por sipas mjekëve të kirurgjisë plastike pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjithnjë e më shumë po shtohet numri i vajzave që kërkojnë të kryejnë operacione plastike. E megjithëse ky shërbim kryhet si në shtet ashtu edhe në privat, shteti nuk e rimburson atë. Kjo do të thotë që secili qytetar, çfarëdolloj moshe, që ka vendosur të kryejë një operacion plastik, do ta mbulojë vetë koston e operacionit.


Nga ana tjetër, edhe mjekët kirurgë jashtë vendit cilësojnë se kirurgjia plastike është një fushë e mjekësisë që sot është duke arritur një zhvillim të paparashikueshëm.


Por çfarë mund të modifikohet përmes operacioneve plastike? Përmes tij bëhet rregullimi i defekteve të lëkurës dhe të pjesëve të trupit apo të funksioneve të tyre, qofshin të meta të lindura apo të shkaktuara më vonë në rrethana të ndryshme, siç mund të jenë dëmtimet e marra në një aksident automobilistik, në një rast fatkeqësie me lëndë shpërthyese (zjarr, gaz etj.).


Realizimi i operacioneve plastike mund të jetë edhe për qëllime estetike, e thënë me fjalë të tjera, mund të priren nga synimi për të zbukuruar pjesë të caktuara të trupit. Dega kozmetike e operacioneve plastike është e lidhur me zbukurimin e organeve të trupit si operacionet në lëkurën e fytyrës, rregullimet e hundës (rinoplastikë), ndërhyrjet kirurgjikale në vesh (otoplastikë), largimi i rrudhave nga pjesa e syve (blefaroplastikë), ndërhyrjet në gjoks (mastoplastikë) etj.


Kostoja


Pasi merret vendimi për të kryer një ndërhyrje të tillë, vjen pyetja se sa kushton një operacion plastik. Mjekët e shërbimit të djegieve plastike në QSUT shpjegojnë se kostoja e çdo operacioni plastik mbulohet nga vetë pacienti, pasi ISKSH-ja nuk ka futur në skemën e sigurimeve asnjë prej këtyre shërbimeve. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” këto operacione mbajnë këto çmime. Kështu, nëse ke vendosur të riparosh hundën, që sipas mjekëve mban numrin më të madh të “riparimeve“ që bëjnë gjatë një viti, kjo kushton 24 mijë lekë të reja. Gjithashtu edhe ndërhyrja në vesh kushton 24 mijë lekë. Ndërsa për zmadhimin e gjoksit 45 mijë lekë, si dhe ai për heqjen e rrudhave dhe dhjamërave të barkut. Po të njëjtat ndërhyrje në privat mbajnë një tjetër kosto. Një ndërhyrje kirurgjikale në hundë kushton 65-80 mijë lekë. Ndërsa në veshë 65-70 mijë lekë.











Çmimet e ndërhyrjeve në QSUT





Ndërhyrje kirurgjikale në hundë: 24 mijë lekë


Ndërhyrjet kirurgjikale në veshë: 24 mijë lekë


Operacionet për zmadhimin e gjoksit: 45 mijë lekë


Operacionet për heqjen e rrudhave: 45 mijë lekë


Operacionet për heqjen e dhjamërave të barkut: 45 mijë lekë


Ndërhyrjet për zhdukjen e shenjave të vogla në fytyrë ose në trup:1300 lekë





Çmimet e ndërhyrjeve në klinikat private





Ndërhyrje kirurgjikale në hundë: 65-80 mijë lekë


Ndërhyrjet kirurgjikale në veshë: 65-70 mijë lekë


Operacionet plastike për zmadhimin e gjoksit: 100-150 mijë lekë


Operacionet plastike për heqjen e rrudhave: 100-150 mijë lekë


Operacionet plastike për heqjen e dhjamërave të barkut: 100-150 mijë lekë