Ngjarjet e ndryshme dhe incidentet me oficerët e operacioneve speciale, detyrojnë drejtuesit e policisë që t’i dërgojnë ata për trajnim te reparti RENEA. Bëhet fjalë për sektorët e Operacioneve Speciale, të cilët në funksionin e tyre kanë për detyrë gjurmimin teknik dhe dokumentimin për vepra të ndryshme penale. Sipas të dhënave, ky vendim është marrë gjatë diskutimeve të ndryshme mes krerëve të policisë, duke bërë edhe analizën e të gjitha ndërhyrjeve të tyre për arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë. Analizë e thellë për këtë sektor është kryer pas ngjarjes tragjike që ndodhi në qytetin e Durrësit, gjatë arrestimit të personit të shumëkërkuar, Dritan Dajti, ku mbetën të vrarë katër oficerë policie, mes tyre edhe shefi i sektorit të operacioneve speciale në Drejtorinë e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit. Megjithatë, ky nuk ka qenë rasti i vetëm kur ata janë përplasur me elementë të ndryshëm kriminalë, ku një prej tyre është edhe i arrestuari Ilir Paja, i cili aksidentoi një punonjës policie gjatë ndërhyrjes për kapjen e tij. Në këto kushte, policia deklaron se operacionet speciale janë të specializuara mirë për gjurmimin dhe vëzhgimin e elementëve kriminalë, deri në dokumentimin e veprës penale, por që kanë mangësi në arrestimin e tyre. Për këtë arsye, ata janë dërguar për trajnim në ndërhyrje te reparti i forcave speciale, RENEA. Ky repart, siç dihet, është ndër më të mirët në Europë për neutralizimin e elementëve të armatosur. Aktualisht, në këtë repart po stërvitet sektori i operacioneve speciale të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa më vonë, pritet të marrin leksionet e duhura edhe forcat e drejtorive të tjera në qarqe të ndryshme të vendit. Me qëllim parandalimin e ndonjë ngjarjeje tjetër të rëndë kriminale, ata po marrin leksionet më të mira trajnuese.
#