Autori i Lajmit: Redaksia






Në prag të nisjes së sezonit turistik në vend, shoqata e turizmit i kërkon qeverisë që të rishikojë taksat për këtë sektor. Konkretisht, operatorët turistikë kërkojnë që tatimi i vlerës së shtuar të ulet nga 20% në 8 % për sektorin e hoteleve dhe restoranteve. Ndërsa niveli i taksës lokale të çmimit të fjetjes nga bashkitë dhe komunat nga 5 të shkojë në 0.5 deri në 1 %. Gjatë një konference për shtyp, drejtues të shoqatës u shprehen se një nismë e tillë do ti jepte një frymëmarrje edhe më të madhe industrisë së turizmit dhe do të ndikonte në rritjen e konkurrencës. Sipas tyre, niveli i këtyre taksave duhet të ulet për tiu afruar tendencave evropiane dhe atyre rajonale. Aktualisht, taksa për dhomë në Turqi është 8%, në Greqi 9%, ndërsa në Mal të Zi 7%, ndërkohë që në Shqipëri është 20%, çka do të thotë 150 % më e lartë. Nivele të tilla taksash, sipas operatorëve turistikë rrisin kostot për biznesin, pasi niveli i lartë i transaksioneve bankare, çmimi i energjisë elektrike, kostot shtesë në zona të veçanta për pastrimin nga mbeturinat e bëjnë sektorin e turizmit jo të lirë dhe jokonkurrues. Por një nismë e tillë duket se ka pak gjasa të ndodhë, në një kohë që buxheti i shtetit po haset me vështirësi në mbledhjen e të ardhurave në masën e planifikuar.



Ky lajm është publikuar: 16/05/2010