Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu publikoi ekskluzivisht videon për të cilën ish-ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikes, Dritan Prifti iu hoq imuniteti i deputetit nën akuzën e Prokurorise për korrupsion pasiv me zëvendësin e tij Leonard Beqiraj. Në video ata ndajnë mes tyre një shumë parash prej 70 mijë eurosh dhe regjistrimi është bërë dhjetë ditë pas përgjimit të Metës.

Pamjet erdhën në studion e “Opinion” nga avokati i Ilir Metës, Spartak Braho, i cili zotëronte dhe përgjime të tjera të kryera prej Dritan Priftit. Videoja e rikuperuar shkurtin e kaluar nga eksperti amerikan dhe e publikuar mbrëmjen e së enjtes në tv Klan përforcoi më shumë në sytë e publikut dyshimet për të cilat flet organi i akuzës se Prifti e Beqiraj po ndajnë 70 mije eruo, në abuzim me funksionet e tyre publike.

Reagimet e para të dy protagonistëve të videos Prifti dhe Beqiraj erdhën menjëhërë pas publikimit të videos në Opinion. Në unison, ata thanë se takimi në shtëpinë e Priftit ishte për çështje private, çka duket se nuk ka bindur shumë, mes të ftuarve në Opinion.

Ndërkohë Preç Zogaj, analist, por dhe pjesë e opozitës, ka bërë distancim të menjëhershëm nga Prifti, duke thënë se nuk i di marrëdhëniet e tij me PS-në, por ai nuk është në tryezën e opozitës së bashkuar.

Ndoshta një pjesë e kishin harruar që në të njëjtën ditë me Ilir Metën Kuvendi i Shqipërisë hoqi dhe imunitetin e Dritan Priftit. Por pas një viti, hetimi u krye vetëm për Ilir Metën dhe Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm. Pirftit ende nuk i është komunikuar akuza ndërsa zoti Beqiraj nuk është thirrur as si dëshmitar, çka lë hapur të dyshosh se prokuroria po përdoret politikisht. Avokatët Genc Gjokutaj dhe Spartak Braho e thonë shkoqur këtë.