Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet ditën e sotme për tiu dhënë mandatet e deputetëve gjashtë kandidatëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Bëhet fjalë për gjashtë kandidatë të cilët kanë dalë kundër vendimit të partive për djegien dhe refuzimin e mandateve.


KQZ pritet që ti kalojë mandatin e demokratit Astrit Veliaj, Lefter Maliqit. Po nga PD, pritet që Klevis Balliu në Korçë të zëvendësohet nga Ligoraq Karamelo, ndërsa Gent Strazimiri i PD, do të zëvendësohet nga Majlinda Halilaj.


Në radhët e LSI, Viktor Tushaj në Lezhë do të zëvendësohet nga Elda Hoti, ndërsa Nora Malaj në Durrës do të zëvendësohet nga Edlira Hyseni. Mandati i Vangjel Tavos në Gjirokastër, pritet ti kalojë Ediola Brahës.


Me votimet e sotme, shkon në dhjetë numri i deputetëve të rinj që hyjnë në Kuvend. Kjo pasi javën e kaluar morën mandatin në KQZ dhe më pas u betuan në Kuvend, Edmond Rushiti, i cili zëvendësoi Endrit Braimllarin e LSI.


Po në Tiranë, Floida Kërpaçi u zëvendësua nga kandidati Ylli Shehu. Ndërkohë në Elbasan, mandatin e Edmond Haxhinastos, KQZ ia kaloi kandidatit pasues Enver Roshi. Sakaq mandatin e deputetit të Dibrës të Përparim Spahiut, e mori Aurora Mara.


Ndërsa në radhët e LSI të gjithë i dogjën mandatet, nga Partia Demokratike, refuzimi erdhi nga vajza e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari dhe nga deputeti i Lushnjes, Myslim Murrizi.