Me pranimin e mandatit të deputetit nga 4 kandidatë zëvendësues në listën e LSI-së, pas shpalljes së vakancave në Kuvendi dhe KQZ, duket se në Parlament po krijohet një opozitë e re.


Në mjedisin politike e mediatik po flitet gjatë për këtë, por për ish-ministrin e Drejtësisë në qeverinë Rama, Ylli Manjani ndaj këtyre individë janë ofruar para dhe tendera në mënyrë që të hyjnë në parlament dhe kjo vendos në dyshim aftësitë dhe pastërtinë e tyre.


O zot sa para, shtëpi, drejtori e tendera janë sot në ofertë nga pushteti për kandidatët e Opozitës!! Janë disa raste që më konfesojnë në konfidencë, se si shokë, miq e familjarë u janë ofruar këto ditë kandidatëve që të plotësojnë formularin… Vetëm ta bëjnë se do tu ndryshojë jeta…, shkruan Manjani në Facebook.


Sipas tij, Parlamenti ekzistues po kultivon një demokraci fallco dhe për këtë luajnë rol edhe listat për deputetë që përpilohen nga kryetarët e tyre dhe jo nga zgjedhjet në forumet drejtuese.


Respekt për të gjithë ata kandidatë që ju përgjigjen ndershmërisht nevojës për të rivendosur demokracinë reale në vend! Njëkohësisht, kjo ishte një provë tjetër, më e forta ndoshta, që shpresoj të bindë Partitë se sa të rëndësishme janë ato dreq listash… Demokracia fallco është tashmë e varrosur në parlamentin më të turpshëm të të gjithë periudhës pluraliste. Dhe të mendosh se sa të ndershme e të lira i bëjnë zgjedhjet…. Pu pu pu pu pu… Turp!, shprehet Manjani.