16/10/2009 Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, e vlerëson realist progresraportin e Komisionit Europian
Për shefin e diplomacisë dokumenti shprehet pozitivisht për zhvillimin e zgjedhjeve
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta e ka vlerësuar progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë realist dhe konkret. Në deklaratën e djeshme ministri i Jashtëm tha se progresraporti është një dokument tepër i rëndësishëm, konstruktiv dhe konkret për inkurajimin e Shqipërisë në arritjen e standardeve që kërkon integrimi evropian, ku rekomandimet e paraqitura janë objektiva kryesorë për qeverinë. “Krahasuar me vitin paraardhës, raporti identifikon një rritje të fushave në të cilat ka pasur progres konkret. Paralel me raportin e progresit, strategjia e zgjerimit e Bashkimit Evropian konfirmon perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të rajonit tonë, duke përfshirë një perspektivë të qartë dhe konkrete edhe për Kosovën, si asnjëherë më parë. E njëjta garanci jepet për liberalizimin e vizave për të gjitha vendet e rajonit, ku sikurse u vlerësua nga komisioneri Olli Rehn Komisioni do të bëjë propozimin për heqjen e vizave me Shqipërinë brenda mesit të vitit 2010”, - deklaroi Meta. Ai theksoi se dokumenti do të materializohet në një program të menjëhershëm dhe konkret pune për të adresuar pikat ku nevojitet progres i mëtejshëm nga ana e qeverisë dhe institucionet e tjera të shtetit. Shefi i diplomacisë shqiptare është shprehur se reformat e nevojshme për integrimin e vendit duhet të kenë mbështetjen e gjithë klasës politike shqiptare. Meta është shprehur kritik ndaj qëndrimit që mban opozita. “Nëse opozita e kthen në qëllim në vetvete bojkotin, me strategjinë për të paralizuar institucionet, do të bëjë një gabim shumë të madh për veten e saj në radhë të parë dhe do të mbajë përgjegjësi të veçantë lidhur me këtë proces integrues, kur të gjithë shqiptarët presin rezultate konkrete. Në mënyrë të veçantë për liberalizimin e pritshëm të vizave, vendim për të cilin ne jemi shumë optimistë se do të realizohet brenda vitit të ardhshëm, sepse nuk mundet kurrsesi që axhenda e cilitdo të bllokojë aspiratat e një populli të tërë”, - ka deklaruar ministri i Jashtëm. Ai theksoi se mazhoranca ka bërë të gjitha përpjekjet dhe i ka lënë të gjitha dyert e hapura për të bashkëpunuar me opozitën për ecurinë e të gjitha reformave në vend. Për ministrin e Jashtëm qeveria dhe mazhoranca i ka kërkuar disa herë opozitës të bëhet pjesë e ndryshimeve dhe reformave, duke respektuar sistemin kushtetues të vendit dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe kërkesat dhe pretendimet e saj t’i zgjidhë brenda institucioneve. Sa u përket zgjedhjeve, Meta u shpreh se KE-ja shprehet pozitivisht në progresraport, të cilat u certifikuan nga OSBE–ODIHR-i si të suksesshme.
Lufta kundër korrupsionit
Meta: Shumë shpejt masa e nisma të reja
I pyetur në lidhje mbi qëndrimin e mbajtur nga Komisioni Europian mbi luftën kundër korrupsionit, ministri i Jashtëm ka theksuar se problemi tërheq vëmendjen për të gjitha vendet e rajonit tonë dhe natyrisht që tërheq vëmendjen edhe për Shqipërinë. Ai ka deklaruar se kjo çështje duhet lexuar me vëmendje. “Në rast se do të lexojmë me më shumë vëmendje raportin, do të vëmë re se vlerësohet fakti që janë ndërmarrë përpjekje më të koordinuara sesa më parë për të luftuar korrupsionin në disa sektorë. Njëkohësisht janë vlerësuar disa masa, që nga reduktimi i kontaktit të drejtpërdrejtë me zyrtarët, pra duke vlerësuar sistemin e prokurimeve elektronike, One Stop Shop, licensimin e bizneseve, E-gov. Njëkohësisht është vlerësuar edhe miratimi i Strategjisë antikorrupsion dhe i Planit të veprimit, është vlerësuar përmirësimi i legjislacionit në përputhje me Konventën e Këshillit të Evropës për të luftuar korrupsionin”, - ka deklaruar ai. Numri dy i qeverisë ka bërë me dije se shumë shpejt do të bëhen të ditura shumë masa e nisma të reja që janë ndërmarrë nga qeveria në këtë drejtim. “Pa dyshim që do të intensifikohet lufta kundër korrupsionit dhe mirëpresim edhe rolin e opozitës dhe të të gjitha institucioneve të tjera që nuk varen nga qeveria në këtë proces”, - deklaroi Meta. Sipas tij, dokumenti përcakton Shqipërinë si një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti.
Ministria e Intregrimit vlerëson progresraportin
Rekomandimet e KE-së do të përbëjnë programin e qeverisë shqiptare
Ministria e Integrimit ka vlerësuar ditën e djeshme se progresraporti i jep notë pozitive luftës kundër korrupsionit dhe masave të marra nga qeveria në këtë drejtim. Në qëndrimin e dikasterit përgjegjës për procesin e integrimit të vendit thuhet se ndryshe nga viti i kaluar dhe disa vjet rresht, që fjalët e përzgjedhura për korrupsionin ishin “i përhapur gjerësisht”, në vitin 2009 progresraporti e nis vlerësimin duke theksuar se qeveria ka koordinuar më mirë përpjekjet për të luftuar korrupsionin në disa fusha. “Komisioni Europian ka vlerësuar gjithashtu arritjet në të gjitha fushat, por natyrisht evidenton edhe mangësitë dhe problemet që duhet të adresohen dhe trajtohen nga institucionet përkatëse. Në mënyrë shumë të detajuar, për çdo fushë krahas vlerësimeve nga KE-ja janë dhënë edhe rekomandime të hollësishme, që do të vazhdojnë të përbëjnë programin kryesor të punës së qeverisë shqiptare”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Integrimit. Gjithashtu në këtë deklaratë vëmendje i kushtohet pikës që progresraporti u kushton zgjedhjeve parlamentare. “Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 i plotësuan standardet kryesore të zgjedhjeve të lira e të ndershme, ngjarje kjo që i jep fund kapitullit të zgjedhjeve problematike dhe Shqipëria i ka të gjitha shanset të përfshihet në propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Integrimit. Në këtë deklaratë të gjitha arritjeve dhe gjithçka është evidentuar në këtë progresraport. Për regjimin e vizave progresraporti i KE-së, referuar Ministrisë së Integrimit, parashtron se “ka pasur progres për sa i përket politikës së vizave, me sigurinë e dokumenteve, procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, ku përshkruhet se deri në mes të muajit shtator janë lëshuar 118.772 pasaporta biometrike, ka hyrë në fuqi ligji për të huajt në dhjetor 2008 dhe aktet nënligjore në zbatim, që u miratuan në maj 2009”. Në kapitullin e punës së qeverisë progresraporti ka konfirmuar se Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në forcimin e strukturave administrative, duke synuar të plotësojë detyrimet e MSA-së. Ministria Integrimit thekson se raporti vlerëson ruajtjen e stabiliteti makro-ekonomik.