Opozita nuk i ndahet Taulant Ballës. Edhe ditën e dielë, PD dhe LSI akuzojnë kreun e Grupit parlamentar të PS se është i lidhur me trafikant droge dhe kriminelë, të cilëve i shërben në emër të pushtetit që ka.


Ndërkohë deputetë nga dy kampet e partive opozitare kanë hartuar së bashku një letër, ku kërkojnë largimin e Taulant Ballës nga Delegacioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit.


Letra i drejtohet Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe është e firmosur nga anëtarët e opozitës në Delegacion, Genc Pollo, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi.


Ata kërkojnë zëvendësimin e Ballës me një tjetër socialist, pa lidhje kriminale.


Opozita e konsideron të papërshtatshëm dhe kundërproduktiv për interesat europiane të Shqipërisë që Taulant Balla të jetë pjesë e Delegacionit Parlamentar dhe bashkëkryesues i Komisionit të Përbashkët të Asociim Stabilizimit me Bashkimin Europian, thuhet në letër.


Anëtarët e opozitës argumentojnë se Shqipëria nuk mund të përfaqësohet në bisedimet me Brukselin në mbledhjen e 15 Tetorit me një politikan që ka pranuar publikisht se ka mik familjar një të dënuar të rrezikshëm për trafik ndërkombëtar droge, pasuria e te cilit është shumëfishuar pas miqësisë me Taulant Ballën.


Ata theksojnë se Taulant Balla nuk mund të përfaqësojë Kuvendin në marrëdhëniet me Parlamentin Europian, për shkak se mbi të rëndon akuza se ka marrë pjesë në kërcënimin me pistoletë në kokë të një oficeri policie, që ai të mbyllte çështjen e përdhunimit të djalit të një deputeti tjetër socialist.


Në kërkesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, opozita gjithashtu vë në dukje se prania e Ballës në Delegacionin e Stabilizim Asociimit nuk është në përputhje me përputhje me kërkesat kryesorë për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm rivendosjen e besimit publik tek institucionet e shtetit dhe luftën pa kompromis ndaj kriminalitetit e korrupsionit, sidomos në postet publike.


7 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)