Analistët politikë në Prishtinë, parashikojnë një proces të gjatë deri në gjetjen e një zgjidhjeje për veriun e Kosovës. Duke përkrahur qeverinë e Kosovës për të vendosur funksionimin e pikave doganore në veri, NATO dhe BE, sipas tyre, dërguan sinjale të qarta se ndarje të Kosovës nuk do të ketë, ndërsa zgjidhja për veriun do të kërkohet brenda sovranitetit të Kosovës.


Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti, ka theksuar se procesi politik në raportet Kosovë-Serbi në mënyrë eksplicite është parashikuar nga kancelaria gjermane Angela Merkel, duke i kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat paralele para se të pretendojë integrimet evropiane.


Duke parashikuar një proces të gjatë e të mundimshëm për veriun, analisti Rashiti thotë se Beogradi dhe Prishtina do të ballafaqohen me një përplasje të ashpër rreth kësaj pjese deri në gjetjen e një zgjidhjeje midis ndarjes, si opsion serb, dhe integrimit të veriut përmes Pakos së Ahtisarit, si opsion kosovar.


Grupi Ndërkombëtar i Krizave në vitet 2005-06 kishte propozuar vendosjen e një administrimi të përkohshëm ndërkombëtar për veriun. Por, analisti Naim Rashiti thotë se atëherë nuk kishte një vullnet që të investohet në diçka të tillë.

Ndërkohë, analisti Halil Matoshi thotë se aksioni i përbashkët i NATO-s, BE-së dhe qeverisë së Kosovës, më 16 shtator në pikat kufitare në veri ka dëshmuar zotimin ndërkombëtar për ruajtjen e kufijve dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

Nëse opsioni i ndarjes së Kosovës ka rënë, mbetet ai i një statusi të veçantë apo autonomie territoriale për veriun. Por, opsionet e tilla, sipas Matoshit, nuk do të prodhonin asnjë efekt pozitiv, përveç potencialit për konflikte të reja.

Sidoqoftë, analistët vlerësojnë se me marrjen nën kontroll të pikave doganore në veri procesi nuk është përmbyllur. Ata parashikojnë se zgjidhja për veriun është e natyrës politike dhe do të kërkojë një kohë më të gjatë deri në arritjen e saj.