Numërimi mbrapsht ka nisur. Shqipëria luan ndaj Skocisë ndeshjen e fundit në grupe të Nationas League. Shanset për kualifikim tashmë janë kompromentuar, do të duhet një mrekulli, nga ato që ndodhin rrallë në futboll. Një fitore 4-0 e kuqezinjve në Loro Boriçi e ndërthurur me një sukses minimal të skocezëve ndaj Izraelit tri ditë më pas do të thoshte një mrekulli për kuqezinjtë.


Presidenti Duka ishte i qartë: nëse fitojmë dhe e mbyllim grupin me pikë të barabarta me rivalët, nuk mund të konsiderohet një dështim. E lexuar mes rreshtave, një fitore i lejon trajnerit të tentojë kualifikimin në Europian edhe nëpërmjet kualifikueseve.


Çfarë ndodh me një humbje? Vendi i fundit dhe rrëzimi nga liga do të linte pak vend për përkufizimin e kësaj aventure. Gjithsesi, nuk luhet për Panuccin, Shqipëria luan fatin e saj. Luhet për të kthyer besimin dhe prestigjin, me epokën post-De Biasi që po rezulton vërtet e vështirë. Shqipëria ka fituar vetëm një ndeshje në shtatë takime të luajtura gjatë vitit 2018.


Klima nuk është më e mira, por për lojtarët rezultatet e fundit mund të shërbejnë për të shtrënguar fort dhëmbët dhe provuar deri në fund këtë herë.


Europiani është aty, për tu tentuar edhe nëse nuk hyhet nga dera e Nations League, por bazat për të ardhmen hidhen që tani. Në Hampden Park humbisnim 2-0, me pengjet e një goli jashtë loje dhe sidomos për shanset e shpërdoruara para portës. Këtë herë nuk do të jenë Migjen Basha dhe Elseid Hysaj, krijuesi i lojës dhe një lider i mbrojtjes dhe i gjithë skuadrës. Duhet të mos pësojmë dhe, mbi të gjitha, të gjejmë rrjetën kundërshtare, në mision i parealizuar në tri ndeshjet e fundit. Na duhet forcë, shpirt grupi inteligjencë dhe besim. Skocia nuk është një kundërshtar i pakalueshëm. Në Loro Boriçi luhet për të tashmen dhe të ardhmen.


17 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)