Televizioni “Ora News” arriti dje të hyjë në sallën e Pallatit të Kongreseve, aty ku censura kishte ndaluar ndjekjen nga ana e mediave të punimeve të këtij kongresi. Edhe pse selia rozë kishte marrë masa të forta ruajtje dhe blindimi të sallës së kongresit, me disa roje, një pjesë e të cilëve policë bashkiakë, kamerat e “Ora News” mundën të filmojnë diskutimet e bëra brenda në sallë, ku delegatë të ndryshëm mbanin fjalimet e tyre në lidhje me zgjedhjet dhe rezultatin e tyre. Ndërsa televizionet e tjera dhe gazetarët e gazetave nuk u lejuan të ishin prezentë në sallën e kongresit, ky televizion arriti t’i përcjellë shqiptarëve 4 orë diskutime të qeta të delegatëve, për të cilat drejtuesit e PS-së nuk e gjykuan të drejtë të ndiqeshin nga mediat.