Dyshimet e dala ditet e fundit se Dritan Dajti eshte i lidhur me “Hakmarrjen per Drejtesi” jane hedhur poshte dje nga nje prej te akuzuarve si drejtues ne kete organizate. Orik Shyti, i konsideruar nga drejtesia shqiptare si kapo i “organizates”, akuze te cilen kurre nuk e ka pranuar, ka reaguar duke hedhur poshte te gjitha dyshimet e dala ditet e fundit, lidhur me perfshirjen e aluduar te Dritan Dajtit ne ate qe cilesohet si “Hakmarrja per Drejtesi”.

Ne nje njoftim te dhene per mediat, ai ka treguar se mengjesin e djeshem i kishin treguar per aludimet qe Dritan Dajti lidhet me “Hakmarrjen per Drejtesi” nepermjet Dritan Hates, nje i arrestuar kohe me pare per moskallezim krimi dhe per armembajtje pa leje.

“Nuk e di se cilet jane miqte e Dritan Hates, se nuk kam pasur asnje lloj lidhjeje me te ne asnje kohe. Madje, per mungesen e lidhjeve, falsifikatoret e procesit kane krijuar edhe nje te çare me shume ne procesin e manipuluar”, deklaron ne letren e tij Orik Shyti.

Ai vijon duke treguar se Haten e akuzojne per nje krim te vetem e per ate krim nuk akuzohet Shyti, i cili eshte cilesuar si koka e “Hakmarrjes”, por qe asnjehere nuk e ka pranuar kete akuze.

Ai shton se edhe Hate nuk eshte akuzuar se ka pasur lidhje me te. Me tej, ai deklaron se Sali Berisha ka ndryshuar taktike per te sulmuar ate dhe “Hakmarrjen”, duke hequr dore nga shtypi i tij, ku sipas tij botonte shpifje per organizaten dhe tashme perdor sherbetoret ne krye te policise per te dhene informacione te rreme.