Drama “Salome” nga Oskar Wilde do të vijë premiere në skenën e sallës Molierë në Teatrin Eksperimental në datat 13 -14 Prill ora 20:00. Nën regjinë e Carlo Sciccaluga, në role interpretojnë Ermira Hysaj, Alert Çeloaliaj, Ervin Bejleri, Yllka Mujo, Alesia Xhemalaj, Emiljano Bufazi, Ermir Hoxhaj, Ilia Kaçi, Ismail Shino, Kleivert Ibrahimllari, Marsel Greva dhe Urim Aliaj.


Salomé është tragjedi me një akt, shkruar nga Oskar Uajlld dhe bazohet lirisht mbi historinë biblike, ashtu siç është treguar në librat e Dhiatës së Vjetër, Marku 6:15-29 dhe Mateu 14:1-12, edhe pse karakteri i Salomesë nuk përmendet me emër në Bibël. Vepra vendoset gjatë periudhës biblike në Judé, një zonë historike, me shtrirje në Lindjen e Mesme, pranë së cilës sot ndodhen Palestina dhe Izraeli. Salomé është thjeshtra e mbretit Herod Antipas të Judesë.


Ai është bashkëshort i Herodias, e cila është e mallkuar nga një profet me emrin Jokanaan (i njohur në Bibël si Gjon Pagëzori). Ky thotë se martesa e Herodit është e paligjshme, sepse Herodias është vejusha e vëllait të Herodit. Në Bibël, Salomé e ndihmon të ëmën të marrë hak ndaj Gjon Pagëzorit, ndërsa në veprën e Uajlldit vendimet e Salomesë ndaj Jokanaanit vijnë si rezultat i dëshirës së saj për hakmarrje nga epshi.


Për tmerrin e mbretit dhe për gëzimin e së ëmës, Salomé kërkon kokën e Jokanaanit në një pjatë argjendi, si shpërblim për vallen e shtatë vellove, që ajo do të kërcejë para mbretit Herod. Për arsye se ligji britanik i kohës ndalonte shfaqjen publike të pjesëve teatrore, ku përshkruheshin personazhe nga Bibla, Uajlld e shkroi Salomé-në në frëngjisht në vitin 1891. Ajo u shfaq së pari si një pjesë teatrore në frëngjisht. Tre vjet më vonë u botua një version i saj në anglisht. Për publikun britanik u shfaq për herë të parë në vitin 1918, disa vjet pas vdekjes së Oskar Uajlldit.