Trajneri i Kombëtares shqiptare, Oto Baric, do të vijë në Tiranë më 2 dhjetor 2006, për te zhvilluar një grumbullim katërditor me futbollistë të përfaqësueses U-21 (Shpresa) dhe disa lojtarë që aktivizohen në kampionatet e huaja, bëri të ditur zëdhënësi i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Lysien Nurishmi. Trajneri kroat i kuqezinjve ka thirrur sulmuesin Labinot Haliti, i cili aktivizohet në Australi me skuadrën e Njukasëll Xhets, Anton Dedejn, i cili aktivizohet në Ligën e parë kroate, mbrojtësin Mërgim Mavrajn, i cili që luan me Darmstadtin në Gjermani, dhe Dritan Stafsulën, që aktivizohet në kampionatin norvegjez.
Sipas zëdhënësit të organizmit që qeveris futbollin shqiptar, kroati Baric do të vijë në Tirane më 2 dhjetor 2006, për të ndjekur ndeshjet e kampionatit shqiptar. Nga data 4 deri më datë 7 dhjetor 2006, në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, do të zhvillohet një grumbullim me lojtarët kandidatë për në ekipin kombëtar dhe me kontigjentin e ekipit përfaqësues Shpresa. Krahas trajnerit Oto Baric, në këtë "zbor" katërditor do të marrë pjesë edhe trajneri i U-21, Artan Bushati.
Nurishmi tha se ftesa nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Baric, kanë marrë edhe dy lojtarë që aktivizohen në Norvegji, e pikërisht Jahmir Hyka, i cili luan me Rozenborgun, dhe Migen Memelli, i cili luan me Bran Bergen, por ata nuk kanë mundësi që të vijnë në Shqipëri në fillim të dhjetorit. Për këtë arsye, zv/trajneri i kombëtares, Zllatko Kovacic, do të shkojë në Norvegji më 3 dhjetor 2006 dhe do të vëzhgojë nga afër Hykën dhe Memellin, të cilët janë në planet e trajnerit Baric për t'u afruar në ekipin kombëtar.
Gjithashtu, FSHF është në kontakte për gjetjen e një kundërshtari për miqësoren e 7 shkurtit, një datë kjo e lirë nga FIFA, pasi dështoi në përpjekjet për të organizuar një ndeshje miqësore më 15 nëntor 2006. Kongo ishte kundërshtari i planifikuar nga drejtuesit e futbollit shqiptar, por gjithcka dështoi vetëm pak ditë përpara datës së caktuar, për arsye të pagesës që policia londineze kishte kërkuar për të garantuar sigurinë e kësaj ndeshjeje, që do të luhej në stadiumin modest të klubit Lejton Orient.