Nga Dash Frashëri

Albania-sport.com (AS)- Një listë plot surpriza ka paraqitur trajneri i Kombëtares shqiptare Oto Baric, për grumbullimin e kuqezinjve në Antalia të Turqisë. Një listë me 25 futbollistë, ku nuk mungojnë lojtarët më të spikatur të kampionatit shqiptar (17) dhe 8 lojtarë që aktivizohen në kampionatet e huaja. Për herë të parë shijojnë grumbullimin me Kombëtaren (B) talente të propozuara nga Zyra e Talenteve në Gjermani si: Shpëtim Hasani, që luan në Suedi me FC Kalmar, Leutrim Neziraj i Karlsruher SC II (Gjermani), Anton Dedaj i NK Osijek (Kroaci), por dhe të dalluarit e grumbullimit të fundit të dhjetorit, si: Sabino Plaku (Apolonia), Orjan Abazaj (Tirana?). Në listën "B" janë dhe dy golashënuesit e fitores surprizë (0-2) të U-21 të trajnerit Bushati kundër Turqisë U-21, takim që u luajt në Stamboll. Edhe sulmuesi i SK Bran në Norvegji, Migen Memelli, është thirrur për në Antalia. Ndër 25 lojtarët e propozuar nga Baric, nga Tirana janë 7 lojtarë: Isli Hidi, Nevil Dede, Klodian Duro, Devi Mukaj, Ervin Bulku, Orjand Abazaj, Vioresin Sinani. Dinamo përfaqësohet me një treshe "blu": portieri Ilion Lika, mbrojtësi Erion Xhafa dhe mesfushori Julian Ahmataj. Partizani i vendit të katërt ka dy mesfushorë në listë: Gjergj Muzakën dhe Elis Bakajn. Me përfaqësues të tyre janë dhe Teuta (Endri Vrapi) dhe Vllaznia (Xhevair Sukaj). Besa ka vendosur shkodranët Admir Teli dhe portierin Erion Mustafa.
Edhe lojtari i ri i talentuar, Jahmir Hyka, i cili para disa ditësh nënshkroi një kontratë me Olimpiakosin e Pireut, është në delegacionin e Antalias. Adrian Aliaj (NK Solin, Kroaci), Armend Dallku (Vorskla Poltava, Ukrainë) dhe Debatik Curri (Vorskla Poltava, Ukrainë), plotësojnë listën Baricit. Përfaqësuesja shqiptare niset drejt Antalias më datë 20 janar 2007. Gjatë qëndrimit në Kemer të Antalias, Kombëtarja do të zhvillojë edhe tri ndeshje miqësore në datat 22, 25 dhe 28 janar 2007. Pas grumbullimit 9-ditor në Turqi, përfaqësuesja jonë do të përgatitet për ndeshjen miqësore me Maqedoninë, më 7 shkurt në "Loro Borici".
Tekniku Baric, gjatë referatit të tij në kursin e trajnerëve për licensën "UEFA B", foli edhe për ndeshjet e ardhshme kundër Maqedonisë (miqësore) dhe Slloveninë e Bullgarinë (që të dyja zyrtare). Më datën 4 shkurt do të nisin edhe përgatitjet për ndeshjen me Maqedoninë.

LISTA E LOJTARËVE TE GRUMBULLUAR

1. ARMEND DALLKU (Vorskla Poltava, Ukrainë)
2. ANTON DEDAJ (NK Osijek, Kroaci)
3. LEUTRIM NEZIRAJ (Karlsruher SC II, Gjermani)
4. ADRIAN ALIAJ (NK Solin, Kroaci)
5. MIGEN MEMELLI (SK Bran, Norvegji)
6. SHPËTIM HASANI (FC Kalmar, Suedi)
7. DEBATIK CURRI (Vorskla Poltava, Ukrainë)
8. SABINO PLAKU (Apolonia, Shqipëri)
9. ENDRI VRAPI (Teuta, Shqipëri)
10. GJERGJI MUZAKA (Partizani, Shqipëri)
11. ILION LIKA (Dinamo, Shqipëri)
12. JAHMIR HYKA (Olimpiakos, Greqi)
13. ERION XHAFA (Dinamo, Shqipëri)
14. XHEVAIR SUKAJ (Vllaznia, Shqipëri)
15. JULIAM AHMATAJ (Dinamo, Shqipëri)
16. ISLI HIDI (Tirana, Shqipëri)
17. NEVIL DEDE (Tirana, Shqipëri)
18. ERVIN BULKU (Tirana, Shqipëri)
19. DEVI MUKA (Tirana, Shqipëri)
20. VIORESIN SINANI (Tirana, Shqipëri)
21. KLODIAN DURO (Tirana, Shqipëri)
22. ORIAND ABAZAJ (Tirana, Shqipëri)
23. ARMIR TELI (Besa, Shqipëri)
24. ARION MUSTAFA (Besa, Shqipëri)
25. ELIS BAKAJ (Partizani, Shqipëri)