TIRANE-Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për presion të vazhdueshëm ndaj punonjësve të administratës publike.

Në një prononcim për mediat, deputeti demokrat, Oerd Bylkybashi u shpreh, se: “Një muaj pasi shkelmoi konsensusin për ligjin e Nëpunësit Civil me aktin normative antikushtetues, qeveria ka intensifikuar me egërsi fushatën e presionit dhe spastrimeve mbi punonjësit e administratës.Ditë për ditë, në të gjitha institucionet, nëpunësve të administratës po u kërkohet dorëheqja nën shantazhe dhe presione pa asnjë motivacion ligjor. I vetmi motiv që bashkon këto kërcënime dhe spastrime është ai politik.”

Partia Demokratike i kërkuar punonjësve të mos pranojnë asnjë formë presioni duke i siguruar edhe asistencë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Sipas Bylykbashit: “Me dhjetëra raportime për të tilla kërcënime dhe shkarkime vijnë çdo ditë nga çdo kënd i Shqipërisë. Vetëm pak ditë më parë, rreth 80 punonjës të ministrisë së Brendshme u shkarkuan në orët e vona të mbrëmjes pa asnjë motivacion dhe procedurë. Sot ju lëshojmë një thirrje tjetër punonjësve të administratës publike: Mos ju nënshtroni këtyre presioneve! Denoncojini ato në organet e prokurorisë dhe publikisht!
Partia Demokratike është e gatshme t’u sigurojë asistencë ligjore për mbrojtjen e të drejtave tuaja ligjore”.

“Partia Demokratike ju kujton frymëzuesve dhe ekzekutuesve të këtyre akteve të paligjshme se presioni dhe shantazhi përbëjnë vepra penale të ndëshkueshme nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Ne i sigurojmë ata dhe mbarë publikun se nuk do të jetë e largët dita e llogaridhënies para drejtësisë për këto veprime antiligjore ndaj administratës publike” – përfundoi deklaratën e tij, deputeti Oerd Bylykbashi. 

(m.s/BalkanWeb)