TIRANE- Partia Demokratike nuk refuzon ftesën e kryesocialistit Edi Rama për mbajtjen e një tryeze të drejtuesve të partive parlamentare për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri te vendit. Deputeti demokrat Fatbardh Kadilli e shprehu këtë qëndrim në emisionin ‘Prizëm’ të gazetarit, Aleksandër Furxhi. Ai theksoi se pritet të formulohet një qëndrim zyrtar për këtë, dhe për modalitetet e konsultimeve. 

“Çdo ftesë për dialog kur nuk shoqërohet me kushte është gjithmonë e mirëpritur. Besoj se do të ketë nevojë të diskutohet më tepër çështja e modaliteteve të mundshme në qoftë se do të shtrohemi në një dialog, konsultim. Por çështja e zgjedhjes së presidentit nuk do të mbetet peng e ftesave, konsultim, për të mohuar më pas pjesëmarrjen në proces”,- tha Kadilli. 

Deputeti i PS, Taulant Balla konfirmoi qëndrimin e tij për zgjedhjen e një presidenti konsensual, por në çdo rast ai përjashton që nënkryetarja e PD-së të jetë një kandidaturë e tillë. “Në vlerësimin tim personal, dhe jo vetëm, Jozefina Topalli do të ishte emri më i keq që mund të kishte Shqipëria për një kandidaturë për president”,- tha Taulant Balla, deputet i PS. “Për mua është një ndër kandidaturat më serioze që do të kishte politika sot për ta zgjedhur për kryetare të shtetit. Do ishte nder të ishte një grua kryetare e shtetit, do ishte nder që për atë çfarë ajo përfaqëson dhe investimin e saj politik”,- tha Kadilli.
(ma.ar/GSh/BalkanWeb)