Ndërsa Komisioni i Ligjeve duhet të miratonte rezolutën për punën e Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2011, mbledhja ka degjeneruar ne akuza, sharje e fyerje për kryeprokuroren. Deputeti demokrat, Fatos Hoxha, nuk ka ngurruar ta quajë Ina Ramën një rrugaçe, duke shkaktuar reagimin e fortë të deputetëve socialistë, raporton Vizion Plus. Gjithçka nisi në momentin kur deputeti Pandeli Majko shprehu rezerva në lidhje me formulimin e projektrezolutës, pasi sipas tij ishte anashkaluar ngjarja e 21 Janarit, për të cilën mazhoranca akuzoi Ina Ramën si pjesë të puçit institucional. Debati ka çuar në largimin e deputetëve socialistë dhe më pas votimin vetëm me votat e demokratëve të projektrezolutës. Përmes këtij dokumenti Komisioni i sugjeron Kuvendit ti kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme që të intensifikojë përpjekjet për luftën kundër korrupsionit, të analizojë rekomandimet e Ministrisë se Drejtësisë për politiken penale, si dhe të zhvillojë procedura transparente larg konfliktit të interesit.