Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, gjatë një interviste për "Ora neës", deklaroi se opozita do ti rikthehet sërisht protestave, pasi shqiptarët e ndjejnë se kanë përballë një qeverisje jo të mirë, jo për interesat e tyre, por për interesat e xhepit të bandës që është në pushtet. Ristani tha se selia blu është e hapur për një koalicion të gjerë opozitar, përfshirë këtu ish-themeluesin demokrat Bamir Topin , Vangjel Dulen e PBDJ-së apo Kreshnik Spahiun e Aleancës Kuq e Zi. "Shqiptarët e ndjejnë se kanë përballë një qeverisje jo të mirë, jo për interesat e tyre, por për interesat e xhepit të bandës që është në pushtet. Partia Demokratike do të arrijë objektivin e saj politik për të larguar Qeverinë Rama nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. Synimi kryesor është shëndoshja e qelizës, të gjitha ato qeliza pastaj plotësojnë pazëllin e organizmit të PD në territor. Duhet ta fillojmë tek qeliza bazë, tek seksioni, sepse aty janë njerëzit që merren me identifikimin e votuesit, tërheqjen e votuesit në qendrën e votimit, pra seksioni është baza e organizimit të parties" - deklaroi Arben Ristani. Ndërkaq, ai vuri theksin ndaj faktit se PD është e hapur për një koalicion të gjerë opozitar, duke i hapur derën e bashkëpunimit FRD-së së Bamir Topit , Aleancës Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut, por dhe partive minoritare siç është PBDNJ e Vangjel Dules. " Këtu sigurisht që nuk përjashtohet as FRD, as forca të tilla si Aleanca Kuq e Zi apo parti të minoritetit. I gjithë spektri që gjen tek PD realizimin e ideve të tyre për një qeverisje më të mirë, më në favor të shqiptarëve"- u shpreh Ristani.