Për maxhorancën ulja me dhjetë vende e Shqipërisë në klasifikimin e Transparency International për korrupsionin, i detyrohet kryesisht vitit elektoral. Deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli në një prononcim për “TV Alsat” shprehet se: “Korrupsioni zhvillohet kryesisht në bashki dhe drejtësi”. Ish-këshilltari për antikorrupsionin pranë kryeministrisë theksoi se “akuzat e ndërsjella për korrupsion gjatë fushatës kanë ndikuar në perceptimin e qytetarëve për këtë fenomen”. “Perceptimi, sidomos në një vit elektoral është më i lartë. Nuk mund të matemi vetëm me një mandat, me një vit apo me 4 vjet. Rruga është e gjatë. Lufta kundër korrupsionit padyshim kërkon më shumë përpjekje dhe pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve, pasi korrupsioni nuk prodhohet vetëm në ekzekutimin qendror, korrupsioni prodhohet në bashki, ku rekordin e mban Bashkia e Tiranës. Korrupsioni prodhohet edhe në gjykatë, të cilat nuk janë përgjegjësi të drejtpërdrejta të qeverisë”, tha Kadilli. Në raportin e TIA-s, Shqipëria u rendit e 95-ta për nivelin e korrupsionit në vitin 2009, duke humbur 10 vende nga një vit më parë.