Partia Demokratike thotë se kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako do të arrestohej të enjten por se dikush e bllokoi policinë. Sekretari i grupit parlamentar të PD Gent Strazimiri deklaroi sot se as kombinacionet brenda qeverisë, as vasaliteti i prokurorisë ndaj Edi Ramës nuk do ta shpëtojnë nga burgu xhuxhin e bandave në Bashkinë e Durrësit. Sipas tij, Kamikazët e Edi Ramës në Prokurori nuk thonë: Kush po e mbron Vangjush Dakon nga Forca e Ligjit.


Deklarata e plotë


Vangjush Dako ka qindra faqe përgjime me bandat në Durrës. Ka qindra telefonata me bandat, me të cilat bën pazar për blerjen e votave, në këmbim të favoreve, lejeve, punësimeve, tenderave, pasurive publike të Durrësit. Në fund i falënderon për kontributin në rezultatin elektoral të Partisë.


Përgjimet e bëra publike deri tani janë vetëm fillimi. Ato nuk janë as 1 përqind e aktivitetit kriminal të Vangjush Dakos, por përgjimet faktojnë se një ditë para zgjedhjeve, më 24 qershor, bandat e shtabit elektoral të Ramë kanë blerë vota për tepsinë e Edi Ramës.Përgjimet provojnë se dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor, Vangjush Dako ka komunikuar përsëri me bandën e Avdylajve që i bleu votat, duke kërkuar takim me shefin e bandës për ta falënderuar dhe për të vazhduar pazaret në tepsinë e Edi Ramës.


Vangjush Dako pranon publikisht se në cilësinë e supermenit që njeh çdo qytetar të Durrësit, me adresë dhe numër familjarësh, madje më mirë dhe më shpejt se sistemi elektronik i gjendjes civile, ka komunikuar me përfaqësuesit e familjeve të mëdha e të fuqishme, me vetëdije të plotë që fuqia në Durrës është në duart e familjeve mafioze.


Vangjush Dako pranoi edhe publikisht se për shkak të kontakteve me ta, ka arritur rezultat historik si drejtues politik i Partisë Socialiste në Durrës. Në një shtet normal, Vangjush Dako duhej të ishte arrestuar live, në studio por jo Pavarësisht këtyre fakteve, Prokuroria nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje Vangjush Dakon.


Kamikazet e Edi Ramës ne Prokurori nuk thonë:


-Kush po e mbron Vangjush Dakon nga Forca e Ligjit.


-Kush e bllokoi të enjten arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit?


Vangjush Dako sot duhet të ishte në burg, njësoj si Arben Ndoka dhe Arben Çuko! Ata janë pjesë e të njëjtës dosje me numër 339!


As kombinacionet brenda qeverisë, as vasaliteti i prokurorisë ndaj Edi Ramës nuk do ta shpëtojnë nga burgu xhuxhin e bandave në Bashkinë e Durrësit.






























27  tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)