07/06/2005  Partia Demokratike, dega Patos, me anë të një deklarate për shtyp, ka kundërshtuar ngritjen e qendrave të votimit në këtë qytet në ambientet e administratës publike. Kryetari i PD-së së degës, Arshi Sulaj, ka akuzuar për këtë akt drejtuesit e pushtetit vendor, të cilët, sipas tij, po shkelin Kodin Zgjedhor. “Dega e PD Patos, deklaron se ka konstatuar disa shkelje të Kodit Zgjedhor të bëra nga kryetari i PS Patos dhe kryetari i komunës Zharrëz, Novruz Toska. Ata kanë thyer haptazi 3 nene të Kodit Zgjedhor, në njësitë e qeverisjes vendore që ata drejtojnë dhe që përfshihen në zonën zgjedhore nr.69. Në kundërshtim flagrant me nenin 95 të Kodit Zgjedhor, disa nga QV janë vendosur në ambiente që ligji i ndalon. Kujtoj që ligji përcakton ambiente publike shëndetësore, ose arsimore për krijimin e qendrave të votimit. QV nr.3382 është vendosur në administratën e ndërmarrjes së naftësjellësit Patos, po kështu QV 3065 është vendosur në ambientet e pallatit të kulturës Patos, ku është vendosur edhe KZZ. Sipas nenit 95 të Kodit Zgjedhor, ndalohet që një qendër votimi të ngrihet në të njëjtën ndërtesë me KZZ“, thuhet në deklaratën e PD-së së Patosit.