Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Rama se e ka kthyer Policinë e Shtetit në gjymtyrën e tij të propagandës.



Deputeti Genti Strazimiri iu referua letërkëmbimeve të shefit të Qarkullimit të Tiranës dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, që sipas tij, pranojnë dështimin në operacionin për lojërat e fatit dhe moszbatimin e procedurave në vendosjen e gjobave për drejtuesit e automjeteve.

“Po tregojmë sot disa të vërteta që i pranojnë vetë krerët e Policisë së Shtetit në një letërkëmbim të shefit të Qarkullimit të Tiranës me kolegët dhe eprorët e tij. Në këtë komunikim duket me sinqeritet një situatë krejtësisht e ndryshme nga ajo që paraqet propaganda shqiptare. Shprehimisht thuhet se konstatohet mungesë korrektësie në kryerjen e detyrës , moszbatimin e procedurës standarde në lidhje me ndalimin, verifikimin dhe marrjen e masave ndaj drejtuesve të mjeteve, konstatohet se në orët e vona të natës vendosen gjoba vend e pa vend pa prezencën e drejtuesit të mjetit nëpër rrugicat e lagjeve të qyteteve. Kjo është situata e vërtetë e funksionimit të policisë së rilindur. Çfarë do të bëjë kryeministri? A do t’ua kthejë paratë qytetarëve që i ka marrë me dhunë dhe jashtë rregullave? Këtu kemi një porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ku pranohet dështimi me lojërat e fatit. Shprehimisht thuhet se: këto mangësi vijnë nga mungesa e profesionalizmit të oficerëve në kryerjen e veprimeve të para proceduriale në mosbashkëpunim me organet e prokurorisë si dhe nuk përjashtohen rastet edhe të mungesës së seriozitetit në kryerjen e veprimeve hetimore”, deklaroi Strazimiri.

MPB: Shkresat, vërtetim përgjegjshmërie

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka mohuar dy shkresat e bëra publike nga deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri me të cilat opozita akuzon qeverinë dhe mazhorancën se ka kthyer policinë në mjet propagande.

Në reagimin e bërë publik nga Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se dokumentet janë urdhëra të brendshme pune që dëshmojnë vetëdijen e institucionit dhe drejtuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë për të reformuar në vazhdimësi shërbimin e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve.

“Ndërkohë, kur ishin vetë në qeverisje, publiku njihej vetëm me skandale, praktika korruptive dhe interesa të paligjshme private që dilnin nga zyrat e shtetit dhe përfundonin tek adresa e familjarëve të Kryeministrit. Ky është dallim shumë i madh, të cilin qytetarët e kanë kuptuar, qoftë dhe nga letrat që tundi sot SHQUP-i në konferencë për shtyp”, thuhet më tej në reagimin e MPB-së. 

/ Top Channel