Partia Demokratike ka reaguar paraditen e së premtes në lidhje me dhunën e një dite më parë në ambjentet e Parlamentit, ku deputeti Genti Strazimiri u sulmua nga deputetët e Partisë Socialiste.



Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Laura Vorpsi ka akuzuar kryeministrin Rama se ka urdhëruar këtë sulm fizik, vetëm sepse deputeti demokrat denoncoi lidhjet e qeverisë me krimin. “Rama urdhëroi Ndokën dhe Ndreun të godisnin deputetin Strazimiri, të cilin e kërcënuan me jetë. Rama i hapi rrugë Arben Ndokës që të hynte në Parlament. PD kërkon të dijë cila është e shkuara e tij dhe cili është dënimi për trafiqe”, ka deklaruar Vorpsi. Sipas saj, edhe deputeti tjetër socialist Armando Prenga është përfaqësues i botës së krimit dhe e ka goditur deputetin Strazimiri edhe më parë për të njëjtën çështje. “Pyesim se cili është problemi i zotit Prenga. Edi Rama i ka futur këta persona në Parlament për të goditur opozitën dhe deputetët që denoncojnë lidhjet kriminale. PD është e vendosur të vazhdojë betejën për të denoncuar lidhjet kriminale të qeverisë dhe dyshes Rama-Meta”, ka shtuar zëdhënësja. / Top Channel