TIRANE - Partia Demokratike denoncoi sot lirimin nga detyra, sipas saj, pa asnjë motiv, të 16 oficerëve të sektorit të operacioneve speciale, të trajnuar nga organizatat partnere më prestigjioze ndërkombëtare si FBI, ICITAP, PAMEBA, OSBE dhe nga ekspertët të anti-terrorit në Turqi.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp të deputetit Arben Ristani, Partia Demokratike shprehu vendosmërinë për të mos lejuar zhbërjen e shtetit apo vendosjen e tij nën kontrollin e krimit. "PD denoncon edhe një herë përpara publikut dhe kujtdo që ka veshë të dëgjojë dhe që i dhimbset Shqipëria, se akte të tilla duhet të ndalen sa nuk është vonë dhe në Policinë e Shtetit duhet kthyer ligjshmëria dhe profesionalizmi", -tha Ristani.
Sipas tij, këta oficerë janë në dijeni të lidhjeve të elementëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe miqësive të tyre politike që shkojnë deri tek Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri.
“Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm duan ta kthejnë Policinë e Shtetit në një strukturë ushtarake të Partisë Socialiste për ta përdorur kundër kundërshtarëve politikë dhe për interesat e tyre mafioze dhe jo për të ruajtur rendin dhe qetësinë për gjithë popullin shqiptar”, -tha Ristani.
(er.nu/BalkanWeb)