Partia Demokratike ka denoncuar sot lirimin nga detyra pa asnjë motiv të 16 efektivëve të operacioneve speciale. Nëpërmjet një deklarate për mediat deputeti demokrat Arben Ristani është shprehur se akte të tilla duhet të ndalen sa nuk është vonë dhe në policinë e shtetit duhet kthyer ligjshmëria dhe profesionalizmi.



Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani:

16 oficerë të sektorit të operacioneve speciale, të trainuar nga organizatat partnere më prestigjioze ndërkombëtare si FBI, ICITAP, PAMEGA, OSBE dhe nga ekspertët e anti-terrorit në Turqi, të angazhuar për vite me radhë në ndalimin dhe arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, janë liruar tashmë detyra pa asnjë motiv.



Me marifetin banal, shkurtim strukture, elita e policisë së shtetit, oficerë që shpesh kanë vënë në rrezik edhe jetën në përpjekjet kundër kriminelëve ju bashkuan shokëve të tyre të liruar më parë nga detyra si pasojë e shkrirjes së sektorit të hetimit të krimit ekonomik dhe sektorëve të tjerë.



Partia Demokratike, e vendosur për të mos lejuar zhbërjen e shtetit apo vendosjen e tij nën kontrollin e krimit, denoncon edhe një herë përpara publikut dhe kujt-do që ka vesh të dëgjojë dhe që i dhimbset Shqipëria, se akte të tilla duhet të ndalen sa nuk është vonë dhe në policinë e shtetit duhet kthyer ligjshmëria dhe profesionalizmi.



Oficerët e policisë të këtyre sektorëve jetik të luftës kundër krimit kanë fajin e vetëm se dinë shumë.



Ata janë në dijeni të lidhjeve të elementëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe miqësive të tyre politike që shkojnë deri tek Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri.



Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, duan ta kthejnë policinë e shtetit në një strukturë ushtarake të Partisë Socialiste për ta përdorur kundër kundërshtarëve politikë dhe për interesat e tyre mafioze dhe jo për të ruajtur rendin dhe qetësinë për gjithë popullin shqiptar.



Ky është dëmi më i madh që po i bëhet vendit, që po i bëhet demokracisë, dhe qytetarëve.



Efektet e kësaj paligjshmërie dhe veprimtarie anarkiste janë ndjerë menjëherë me pasoja të rënda për shtetasit e këtij vendi sepse policia e shtetit ka humbur aftësinë për të mbajtur nën kontroll teritorin e vendit.



Vetëm në dy javët e fundit, ka mbi 20 viktima nga vrasjet, aksidentet në rrugë dhe së fundmi në minierat e braktisura.