Eljona Ballhysa

Partia Demokratike ka bllokuar ngritjen e komisionit parlamentar për kontrollin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Deputeti socialist, anëtar i Komisionit të Ligjeve, Besnik Dervishi, ka bërë të ditur se qeveria është e vendosur për të mos i lënë hapësira opozitës për të kontrolluar procesin. Sipas tij, nuk ka asnjë negociatë mes palëve dhe nuk duket asnjë dritë jeshile që PD-ja t’i japë të drejtën opozitës për të kontrolluar zbatimin në terren të Kodit Zgjedhor. Por, sipas Dervishit, Partia Socialiste nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj për të ngritur komisionin e posaçëm parlamentar.

Qëndrimi

“Ne bëmë kërkesën në Kuvend për ngritjen e një komisioni ad hoc për zbatimin e Kodit Zgjedhor, konkretisht për mënyrën e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, për hartimin e regjistrit civil, pastrimin e tij nga dublikatat si dhe për listat e zgjedhësve. Kërkuam që ky komision të drejtohej nga opozita, pasi PD-ja është në pushtet dhe është qeveria që po merret me këtë proces. Por maxhoranca e rrëzoi këtë kërkesë tonën pasi kërkoi postin e bashkëkryetarit. Por është absurde kjo kërkesë e PD-së pasi qeveria e ka në dorë të gjithë procesin. Duket qartë se PD-ja po kërkon të bllokojë të drejtën e opozitës për të kontrolluar procesin”, - është shprehur Dervishi. Ai bëri të ditur se deri tani nuk ka asnjë negociatë mes palëve për të dalë nga ky ngërç. Nga ana tjetër, eksponentë të qeverisë deklarojnë se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti vazhdon normalisht dhe shumë shpejt ky proces do të përfshijë të gjitha qytetet e vendit. Por qytetarët, megjithëse kanë aplikuar, ende nuk kanë në dorë kartën e identitetit. Pritet që javën e ardhshme të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të diskutuar sërish mundësinë e ngritjes së komisionit të posaçëm parlamentar për kontrollin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.

Kërkesa

Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare ka dështuar në mbledhjen e parë për të miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm për monitorimin e zbatimit të Kodit Zgjedhor. Gjatë një ore, kryetarët e grupeve parlamentare kanë debatuar në mbledhjen me dyer të mbyllura për drejtimin e komisionit të kërkuar nga PS-ja. Përfaqësuesit e PS-së kërkuan që komisioni të drejtohet prej tyre për shkak se menaxhimi i procesit zgjedhor bëhet nga qeveria. Ndërsa kjo kërkesë është rrëzuar nga PD-ja, të cilët kërkojnë që komisioni të ketë dy bashkëkryetarë. Kërkesa për ngritjen e komisionit u bë nga kryetari i opozitës Edi Rama, i cili u shpreh skeptik për mbarëvajtjen e procesit të ardhshëm zgjedhor, duke bërë të ditur se qeveria ka dështuar në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe është tepër vonë në hartimin e Regjistrit Kombëtar Elektronik, mbi bazën e të cilit do të hartohen listat e zgjedhësve.





Ankesat e PS-së



Procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti është i paqartë, jotransparent dhe me mjaft elementë kaotikë.



Nuk është përmbushur afati i përfundimit të regjistrit themeltar elektronik.



Ky proces paraqet shumë vonesa duke vënë në rrezik përfundimin e regjistrit elektronik në bazë të të cilit KQZ-ja duhet të hartojë regjistrin sipas qarqeve.



Shanset që listat e votuesve të hartohen të sakta janë ende të ulëta.



Kapacitetet për prodhimin e 3 milionë kartave të identitetit janë të atilla që nuk e përmbushin këtë proces.



Mungon një kalendar veprimi për zgjedhësit pa pasaportë.











7 Shkurt 2009