Partia Demokratike do të padisë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj lidhur me vendimet e datës 30 dhjetor, pasi i cilëson ato si antiligjore e korruptive, raporton ABCNews.

Një fakt i tillë u bë sot i ditur përmes një deklarate për shtyp nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj.

"Për nder të Veliajt, dita e fundvitit 2015 të shpallet dita e vjedhjes qeveritare. Partia Demokratike do të kallëzojë në Prokurorinë e Tiranës kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili nga nguti për të mbyllur menjëherë aferat e tij prej mijëra eurosh ka miratuar vendime jo vetëm në dëm të qytetarëve të Tiranes, por edhe në shkelje të ligjit.

Pavarësisht se një hajdut me eksperiencë dhe gjakftohtë, nxitimi për të vjedhur dhe natën e vitit te ri ka bërë që aktet e datës 30 dhjetor të jenë absolutisht të pavlefshme.

Vendimi i Erion Veliajt për rritjen me 50 milionë dollarë të taksave vendore është i pavlefshëm, sepse është ndërmarrë pa u dekretuar ende ndryshimi i ligjit ?nga Presidenti i Republikës për taksat dhe tarifat vendore. Për të njëjtën arsye, fakti që bazohen në një akt që ende nuk ka fuqi, është i pavlefshëm dhe miratimi i buxhetit 2016 të Bashkisë".

"Afera korruptive për dhënien me koncension të parkut Rinia për 35 vite një klienti i cili do investojë 20 milionë dollarë për ndërtimin e parkimit për të fituar mbi 500 milionë dollarë sipas planbiznesit, është e paligjshme sepse kontrata e miratuar është ajo që u la gati nga Rama dhe bazohet në ligjin e koncensioneve të vitit 2006 dhe jo 2013",deklaroi Topollaj.

Madje, sipas PD, shpejtësia e miratimit të këtij koncensioni korruptiv ka bërë që të mos respektohen kërkesat bazike të ligjit në rastin e një procedurë koncensionare.

Demokratët kundërshtojnë dhe vendimin për rritjen e çmimit të biletës së urbanit.

"Vendimi i Veliajt marrë në mesnatë si nje hajdut ordiner, për të rritur çmimin e biletave për qytetarët është një tjetër aferë e pastër korruptive që do të çojë në xhepat e Veliajt dhe ortakëve të tij rreth 6 milionë dollarë çdo vit. Edhe ky akt është i pavlefshëm sepse ai ka kaluar në Këshillin Bashkiak pa respektuar procedurën dhe afatet ligjore.

Për nga intensiteti i hajdutërisë Veliaj ka bërë xhelozë të gjithë kabinetin Rama.

Partia Demokratike është e vendosur t'i shkojë deri në fund betejës ligjore dhe qytetare për këto afera të pastra korruptive të ndërmarra nga Veliaj, të cilat do të përkeqësonin dhe më tëj jetën e qytetarëve", tha ai.