Partia e Drejtësisë për herë ta parë ka themeluar degë në qytetin e Shtimes, kryetar i së cilës u zgjodh Muhamed Ademaj. Në këtë kuvend të parin zgjedhor morën pjesë 70 delegatë e të cilët zgjodhen edhe kryesinë e re të kësaj dege.

Kryetari i kësaj partie, që njëherësh është edhe ministër i Shëndetësisë, Ferid Agani, me këtë rast ka potencuar se themelimi i degës së PD-së në këtë qytet, dëshmon më së miri se kjo parti dita-ditës po rritet.

Agani shprehu bindjen e tij se PD-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të tregojë rezultate konkrete, pasi që ka dëshmuar se është parti që di t’i ruajë vlerat kombëtare e fetare të popullit tonë. Vlera këto, që siaps tij, janë kultivuar ndër shekuj dhe si të tilla duhet të mbesin edhe në të ardhmen.

Ai tha më tutje se kjo parti ka treguar se është në gjendje të japë kontributin e saj edhe në ndërtimin e shtetit, duke përmendur të arriturat në ministri të Shëndetësisë, por edhe punën e deputetëve të PD-së në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, kryetari i porsazgjedhur i degës së PD-së në Shtime, Muhamed Ademaj, falenderoi të gjithë delegatët për besimin e dhënë, duke u zotuar se do të angazhohet që kjo parti të shtrihet në çdo pjesë të kësaj komune.

Ndryshe, Ademaj në zgjedhjet e fundit komunale ka arritur të përfaqësojë PD-në në Asamblenë Komunale të Shtimes.