20/09/2011  OMONIA dërgon ligjin për regjistrimin e popullsisë në Gjykatën Kushtetuese


Shoqata “OMONIA”, e cila nuk është dakord me ligjin për regjistrimin e popullsisë, ka depozituar një ankesë gjatë ditës së sotme në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Ligoraq Karamelos, anëtar i kryesisë së shoqatës “OMONIA” dhe kryetar i degës së saj në Korçë, dje është çuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për ta shpallur antikushtetues ligjin e Kuvendit për regjistrimin e popullsisë. Në rast të mosshtyrjes së afatit të regjistrimit me 6 muaj, Karamelo ka deklaruar bojkotimin nga minoritetet të procesit të regjistrimit të popullsisë. Qëndrimi ekstrem i parashtruar nga drejtuesit e shoqatës interpretohet si pasojë e mungesës së klimës së përshtatshme për kryerjen e procesit të censusit në vendin tonë. Në fakt, shoqata “OMONIA” kundërshton mendimet që i janë bërë ligjit nga ana e PDIU-së, të cilat, sipas kësaj të fundit, frenojnë abuzimet në regjistrimin e popullsisë. Në një reagim të PDIU-së lidhur me këtë çështje thuhet: “PDIU-ja do të bëhet garant i zbatimit të amendamenteve të saj. Këto amendamente ndalojnë deklarimin e rremë të kombësisë, dhe ndalimi i së pavërtetës është një parim i demokracisë liberale. Me amendimet e PDIU-së INSTAT-i detyrohet të marrë si të sakta të dhënat që gjenden në regjistrin e gjendjes civile, e kjo duket se ka mërzitur ata që kishin një axhendë antishqiptare me regjistrimin. PDIU-ja, si parti e çështjes kombëtare, nuk do të lejojë askënd të abuzojë me kombin shqiptar e do të bëhet garant i amendimit më patriotik që është bërë në një ligj deri më tani”, - thuhet në deklaratën e PDIU-së. Ligoraq Karamelo, nënkryetar i OMONIA-s, është rreshtuar në krah të Aleancës Kuqezi të drejtuar nga Kreshnik Spahiu, që gjithashtu kundërshton ligjin për regjistrimin e popullsisë.