Në një komunikatë për shtyp, PDIU thotë se në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme, nuk u bë palë në këtë proces për arsye parimore:


“1. Dy deputetët  e PDIU-së nuk mund të votojnë një kod zgjedhor i cili lë në fuqi sistemin e numërimit militantesk të votave, në kuadër të dëshirës së dy partive për të qenë jo administrues por padronë fuqiplotë të proceseve zgjedhore.
2. Dy deputetët e PDIU-së nuk mund të votojnë një sistem zgjedhor i cili prodhon pabarazi në përfaqësimin e votave të qytetarëve, duke krijuar pragje artificiale të ndryshme nga qarku në qark, e që çmontojnë parimin e barazisë së votës.
3. Dy deputetët e PDIU-së nuk mund të votojnë një sistem zgjedhor, i cili është huazuar nga vende me tendenca të forta rajonaliste, të cilat as ekzistojnë as duhen favorizuar në Shqipëri.
4. Dy deputetët e PDIU-së nuk mund të votojnë një kod zgjedhor, i cili lë sërish të papërfaqësuar votën e një të tretës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë në emigracion”.

Këto qëndrime tonat janë parimore,thotë PDIU, të deklaruara që në fillim të herës, përpara krijimit të komisionit të posaçëm parlamentar. Ato qëndrojnë të tilla edhe pse në pikëpamjen elektorale PDIU është mjaft komode edhe me sistemin aktual zgjedhor, pasi në mendimin tonë, përpara interesave personale e partiake duhet të qëndrojë interesi kombëtar.

“Dy partitë e mëdha për nga numri i kartonave, sërish zgjodhën të miratojnë një kod që mendojnë se është qepur sipas metrave të tyre. Së paku, shpresojmë që pas zgjedhjeve të ardhshme dy autorët e arnimit të kodit të mos ankohen si gjithnjë për atë çka kanë gatuar vetë”, thuhet në komunikatë.


                                                                                             2012-07-19 15:53