Partia Demokratike duket se është sprapsur nga nisma për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për konfliktin institucional midis qeverisë dhe prokurorisë së përgjithshme. Gjatë një deklarate për mediat zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve se çfarë po bën PD-ja për këtë nismë. Reagimi i Bumçit nënkupton se PD-ja ka hequr dorë nga ngritja e këtij komisioni. Gjatë fjalës së tij Bumçi e ka akuzuar Ramën për përpjekje për të festuar 100-vjetorin e ditëlindjes së diktatorit Hoxha, ndërkohë që është shprehur se kreu i PS-së ka penguar miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve të ish spiunëve të komunizmit. Megjithatë Bumçi nuk e ka komentuar nismën më të fundit të deklaruar nga kryetari i partisë së tij për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Megjithëse kjo nismë u deklarua me të madhe nga kryeministri Sali Berisha vetëm disa ditë më parë, deputetët e PD-së duket se janë sprapsur nga kjo nismë. Burime nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë bërë të ditur për gazetën se deklaratat e fundit të faktorit ndërkombëtar në Tiranë kanë bërë që grupi i PD-së të qëndrojë në pritje të një vendimi të fundit për ngritjen ose jo të komisionit hetimor parlamentar. Sipas burimeve, ka mundësi që kjo nismë të mos realizohet për shkak të presionit të jashtëm. Ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian të akredituara në Tiranë si dhe Ambasada e SHBA-ve kanë reaguar kundër kësaj nisme të qeverisë, të cilën e kanë cilësuar përpjekje për të kontrolluar institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme. Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, ka bërë disa deklarata të njëpasnjëshme në të cilat dënon hapat e ndërmarrë nga qeveria. Pikërisht reagimi i faktorit ndërkombëtar në Tiranë ka sjellë dhe ngrirjen e përkohshme të vendimit për të ngritur një komision hetimor parlamentar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Burime nga ky grup kanë bërë të ditur se zakonisht, kur PD-ja është e vendosur plotësisht për të ngritur një komision, deputetët thirren për të hedhur sa më parë firmat në kërkesën drejtuar Byrosë së Kuvendit. Por kjo nuk ka ndodhur ende në këtë rast. Deputetët e kësaj partie shprehin nën zë se kjo nismë ka mundësi të “harrohet” nga drejtuesit e partisë.



19 Tetor 2008