PRAGË- Kongresi i Partive Europiane Socialiste i është drejtuar me një thirrje kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë shqiptare, të lejojnë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke plotësuar kështu kërkesën e opozitës.



Në takimin e posaçëm që Kongresi i PES zhvilloi për çështjet e Ballkanit u propozua një qëndrim i PES mbi zhvillimet politike në Shqipëri.



Në këtë qëndrim të përbashkët shprehet shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës me të cilën përballet Shqipëria.



PES i jep mbështetje të plotë qëndrimit të mbajtur nga Internacionalja Socialiste mbi krizën me të cilën përballet Shqipëria dhe thekson se "në Shqipëri demokracia duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste të Shqipërisë në lidhje me të gjitha shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të mbështeten.



"Kongresi i PES i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, përmes një hetimi parlamentar që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë"- thuhet në të.



Sipas deklaratës, Kongresi i PES i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të gjejnë një zgjidhje, e cila do t'i jepte fund krizës politike dhe do të mundësonte kthimin e Partisë Socialiste në Parlament.



PES mbështet angazhimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.