Autori i Lajmit: red.
Figura e femrës, si qenia më e pambrojtur e shoqërisë shqiptare, është kryefjala e romanit më të ri të shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli, “Bolero në vilën e pleqve”, i cili u prezantua dje në ambientet e Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Shtëpinë e Librit dhe Promocionit "Toena". Për Fatos Kongolin ky roman, shkruar në vetën e parë, ku autori vihet nën lëkurën e një femre, përbën një sfidë. "Gjatë kohës që kam shkruar këtë roman kam qenë shumë i ngarkuar emocionalisht, madje mund të them se kam ecur në tehun e një brisku, pasi vija në dyshim natyrshmërinë e fjalëve në gojën e një femre jo të zakonshme dhe të rëndomtë në jetën e saj", - tha Kongoli gjatë promovimit të romanit. Ky roman hyn në botën e brendshme shpirtërore të personazheve të tij, madje, ai trajton tema madhore të jetës si lindja dhe vdekja. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Tefik Biçoku, e vlerësoi shkrimtarin si një prej romancierëve më të mirë të kohës. Ndërsa Fatmir Toçi, president i Shtëpisë së Librit dhe Promocionit "Toena", u shpreh se “ky roman lëkundi gjithë bindjen time se romani më i mirë i Kongolit ishte "Jetë në një kuti shkrepësesh". Për të “Fatos Kongoli është shkrimtari më përfaqësues i tranzicionit, madje, ai është quajtur dhe si shkrimtari që përfaqëson më mirë letërsinë shqipe në gjuhët e botës, pasi veprat e tij janë botuar në anglisht, frëngjisht, italisht, bullgarisht dhe po përkthehen së fundmi dhe në spanjisht”. Studiuesja dhe shkrimtarja Flutura Açka e cilësoi romanin e ri të Kongolit si një nga veprat më të mira të viteve të fundit, duke shtuar se "ky roman përmban një ironi në kufijtë më të hollë dhe kjo shfaqet mes normalitetit që i shton më tepër kureshtjen lexuesit". Personazhet e romanit janë dy pleq, një infermiere, por njëkohësisht dhe vizitorët kalimtarë të tyre si doktori apo fëmijët e pleqve. Historia zhvillohet në një vilë, ku pleqtë kalojnë ditët e fundit të jetës së tyre. Ata i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat zhduken pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t i shtjerë në dorë. Nëpërmjet rrëfimit të infermieres, Kongoli zbulon një mjedis të egër e të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura. Fatos Kongoli ka lindur në Elbasan më 1944, ndërsa ka studiuar matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ai është autor i një vargu librash, si: "Ne të tre", "Karuseli", "I humburi", "Kufoma", "Dragoi i fildishtë", "Ëndrra e Damokleut", "Lëkura e qenit", "Te porta e shën Pjetrit", "Jetë në një kuti shkrepësesh", të vlerësuara nga lexuesi shqiptar dhe i huaj.



Ky lajm është publikuar: 07/02/2009